Vala e zemërimit e shtyn Kosovën drejt greminës

Valerie Hopkins BIRN

Shqiptarët e Kosovës kanë duruar kriza kushtetuese, rritjen e çmimit të energjisë, papunësinë e madhe dhe disa nga nivelet më të larta të korrupsionit në Europë. Megjithatë, kohët e fundit, ishte dëmi i bërë ndaj dinjitetit të tyre kolektiv që mblodhi mijëra njerëz në rrugët e Prishtinës, në protesta të papara në shkallë dhe dhunë që para se Kosova të shpallte pavarësinë në vitin 2008.

 

Shkëndija u ndez në fillim të janarit, kur Aleksandar Jablanoviç, një ministër serb në qeveri, iu referua një grupi shqiptarë viktimash lufte si “njerëz të egër”, pasi ata nuk i lejuan serbët të shkonin në një kishë gjatë Krishtlindjes Ortodokse.

Protesta e vogël në lidhje me atë incident gjeti mbështetje të gjerë pasi kundërshtimet nga Beogradi bënë që kryeministri Isa Mustafa ose të hiqte dorë ose t’i shtynte për më vonë planet për të bërë shtetërore minierën e Trepçës. Kosovarët e kishte parë në atë plan një nga shpresat për të nxjerrë Kosovën nga apatia e saj ekonomike.

Trazirat kanë rritur presionin mbi qeverinë, e cila ka vetëm 45 ditë që ka ardhur në pushtet, kanë rritur tensionin mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve dhe kërcënon të ndalojë progresin e ngadaltë, por të qëndrueshëm që Kosova dhe sunduesja e saj e mëparshme, Serbia, kanë bërë që nga viti 2011.

“Të fyerjet nga Jablanoviçi dhe presioni për Trepçën më ka dhënë përshtypjen se jemi kthyer prësëri në periudhën para luftës,” tha një protestues, Naser Mehmeti, në një tubim më 24 janar, ku u mblodhën me mijëra njerëz.

Policia u shpre se turma përbëhej nga rreth 7,000 vetë, ndërsa lëvizja Vetëvendosja e çon numrin në 30,000. Cilido qoftë shifra e vërtetë, Kosova ka vite që nuk ka parë një protestë të kësaj madhësie.

Një protestë pasuese më 27 janar, ndonë vlerësohet si m e vogël nga numri, rezultoi në dhunën më të keqe që Kosova ka përjetuar që kur ajo shpalli pavarësinë esaj shtatë vjet më parë.

Ai që filloi si një tubim paqësor jashtë parlamentit, degradoi në një përballje të shëmtuar mes të forcave të policisë, të cilët përdorën plumba gome, gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa protestuesit copa betoni, gurë dhe mbeturina.Qendra Klinike Universitare, spitali më i madh në Prishtinë, raportoi se kishte trajtuar 170 njerëz nga protestat, duke përfshirë 107 oficerë policie, 53 protestues dhe 10 të tjerë. Të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për dhunën.

Zyrtarë qeveritarë, përfshirë Mustafan, dënuan protestat dhe akuzuan liderët e opozitës se po i përdorin ato për të marrë pushtetin. “Protestat nuk duhet të përdoren për të arritur ambicie për pushtet, sepse pushteti fitohet vetëm përmes votimit të lirë nga qytetarët e Kosovës, jo me forcë dhe me anë të dhunës,” tha Mustafa.

Mustafa refuzoi t’i pranonte kërkesat e protestuesve që Jablanoviçi, Ministri për Komunitetet dhe të Rikthyerit, të japë dorëheqjen dhe qeveria të marrë kontrollin mbi minierën e Trepçës. Kompleksi kishte të pynsuar më shumë se 20,000 njerëz gjatë kulmit të Jugosllavisë dhe është e pasur me burime të mëdha zinku, argjendi e plumbi që menaxherët e minierës vlerësojnë mund të arrijnë deri në 10 miliard euro.

Qendra operative e minierës së është në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Seksionet janë ndarë mes të shqiptarëve në jug dhe serbëve në veri. Por ajo ka komplekse nëpër Kosovë dhe disa nga objektet e saj ndodhen në Serbi.

Miniera ka punuar në nivelin e saj minimal të prodhimit nën pronësinë e një trusti, Agjencia Kosovare e Privatizimit, AKP-ja, e krijuar nga Kombet e Bashkuara kur lufta në Kosovë përfundoi në vitin 1999. Agjenci u bë një institucion qeveritar kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por e ka shtyrë vazhdimisht një zgjidhje të qëndrueshme për shkak të mosmarrëveshjeve mbi pronësinë. Serbia pretendon se ajo zotëron 75 për qind të kompanisë.

Lajmërimi i Mustafës më 16 janar se ai do të shtetëzojë Trepçën dhe do ta shpëtojë atë nga falimentimi i mundshëm dhe likuidimi, u përshëndet nga shqiptarët e Kosovës, por u dënua menjëherë në Beograd.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç tha se kjo do të komplikonte vazhdimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, të moderuara nga Bashkimi Europian, duke vënë në rrezik të madh përparimit në një marrëveshjeje kyçe të nisur në prill të vitit 2013. Duke u fokusuar në statusin e ardhshëm të komunitetit serb të Kosovës, marrëveshja ka për qëllim të riintegrojë veriun srb të Kosovës në pjesën tjetër të vendit.

Pas paralajmërimit të ashpër të Vuçiçit, Mustafa dhe Parlamenti i Kosovës u tërhoqën dhe i dhanë AKP-së edhe tre vjet kohë derisa të sqarojnë çështjen e pronësisë së minierës.

Udhëheqësit serbë thonë se nuk do të heqin dorë nga pretendimet e Serbisë ndaj Trepçës dhe duan që çështja të diskutohet në Bruksel. “Kushdo që mendon se Serbia, nën çfarëdolloj presioni, do të heqë dorë nga lufta për Trepçën, për pasurinë e saj, për popullin e vërtetë serb në Kosovë, po krijon iluzione,” tha Marko Djuriç, Ministri i Serbisë për Kosovën në televizionin publik serb RTS.

Historia e Trepçës dhe e protestave mbi Trepçën është e ndërthurur me të kaluarën e afërt të Kosovës, dhe me një debat më të gjerë mbi se sa pushtet Serbia duhet të fitojë në Kosovë. Në vitin 1989, ndërsa Serbia u përpoq të shkatërronte autonominë e Kosovës brenda Jugosllavisë, më shumë se 1,000 minatorë hynë në grevë urie brenda Trepçës, duke bërë thirrje për vetëvendosje.

“Greva e minierës ishte moment kyç në historinë e Kosovës, e cila përcaktoi qëllimet e shumicës së popullsisë së Kosovës dhe siguroi një “shtysë” dinamike kundër politikës hegjemoniste serbe të kohës,” risjellë në mendje Behlul Beqaj, analist politik prej një kohe të gjatë në Kosovë. “Protesta e sotme mund të shërbejë si një katalizator për rishqyrtimin e politikave të kohës.”

Fokusi i marrëveshjes të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Serbisë dhe Kosovës më 19 prill 2013, ishte e ardhmja e komunitetit serb të Kosovës, sidomos atyre që jetojnë në katër komuna në veri të lumit Ibër, të cilët janë në proces integrimi në vetë strukturat qeveritare të Kosovës. Në mungesë të të dhënave zyrtare, mendohet se rreth 40 për qind të 100,000 apo më shumë serbëve në Kosovë jetojnë në veri të lumit dhe 60 për qind në jug.

“Gradjanska Iniciativa “Srpska” (Lista Serbe), të cilën e udhëheq Jablanoviçi,  fitoi rëndësi në zgjedhjet e qershorit 2014, zgjedhjet e para kombëtare në Kosovë në të cilat morën pjesë katër komuna veriore kryesisht serbe. E përkrahur nga Beogradi, partia fitoi nëntë nga 120 vendet në parlament.

Pas gjashtë muajsh duke parë partitë e zakonshme të argumentojnë se cila do të formonte qeverinë, Lista Serbe mori dy ministri dhe postin e zv/kryeministrit. Problemi këtu është se Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe pohon se ajo është ende provincë e Serbisë.

Pas zgjedhjeve, Jablanoviç tha për BIRN-in se vendlindja e tij e Leposavici në veri të Kosovës “nuk do të jetë kurrë pjesë e Kosovës”.

Kur Kryeministri serb Vuçiç vizitoi Kosovën javën pas etiketimit si “njerëz të egër”, Jablanoviçi, zv/kryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviç dhe Ministri i Pushtetit Lokal, Ljubomir Maric, qëndruan pranë tij në paraqitjet publike.

Zemërimi publik mbetet se një ministër i qeverisë, paga e të cilit paguhet nga taksapaguesit e Kosovës, mund të dalë të ofendojë viktimat shqiptare të krimeve të luftës dhe pastaj të bëjë vetëm një ndjesë  të vakët, duke thënë në televizionin publik të Kosovës se ai “nuk e dinte” nëse policia serbe dhe ushtaria kishin kryer krime lufte në vitet 1990 në Gjakovë.

Analisiti Beqaj tha zemërimi për gjuhën e ministrit dhe fatin e minierës ishte i kuptueshëm. “Gjuha e urrejtjes e shprehur nga ministri serb nuk u trajtua si duhej. Qeveria, nga ana tjetër, luajti me çështjen e Trepçës – duke mos pasur parasysh vlerën sentimentale që ka në vend”.

Ai vuri në dukje gjithashtu çështje më të thella zhgënjimi me mungesën e progresit që Kosova ka bërë në këto 15 vjet që lufta ka mbaruar.

Ndërkohë, përgjegjësia për aftësinë e dukshme të Serbisë për të vënë veton ndaj vendimeve në Kosovë, ka rënë mbi supet e kryeministrit Mustafa, edhe pse ai ishte në opozitë ndërsa bëheshin marrëveshjet Kosovë-Serbi.

Polemika ka galvanizuar opozitën e dobët, e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosja, Aleanca e Ramush Haradinajt për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe NISMA Fatmir Limajt. Ajo i ka lejuar ata shprehin hapur pakënaqësinë ndaj ish-nënshtrimit të Kosovës ndaj Serbi dhe mbi shqetësimin se qeveria do të bëjë më shumë kompromise për serbët dhe Serbinë.

Sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, komunat me shumicë serbe në Kosovë duhet të formojnë shoqatën e tyre. Por detajet rreth strukturës së saj dhe autonomisë që ajo do të gëzojnë ende nuk janë përcaktuar. Kosovarët shqetësohen se nëse fiton autonomi të madhe, ajo mund të bëhet shkatërruese si Republika Srpska, entiteti kryesisht serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë mesazhin se vija e kuqe e Kosovës është shumë më e cekët sesa mendojnë ata,” tha Leon Malazogu, drejtor i Demokracia për Zhvillim, një qendër me bazë në Prishtinë. “Kjo nuk është një gropë e hapur ku mund të gërmoni sa thellë të doni që të rehatoni Serbinë,” shtoi ai. “Ata mund të bëjnë një gabim të madh.”

Ai u shpreh se Lista Serbe dhe Beogradi, në mënyrë efektive kanë fituar terren në qeverinë e Mustafës. Pa mbështetjen e saj, qeveria e tij do të rrëzohej, dhe me shumë gjasa ajo do të tërheqë mbështetjen e saj nëse Jablanoviçi shkarkohet.

“Ai është i pafuqishëm për të hequr Jablanoviçin. Heqja e tij nënkupton se qeveria do të rrëzohej,” shpjegon Malazogu. “Vuçiç qëndron menjëherë pas Jablanoviçi. Ai nuk mund të hiqet.”

Kjo e vë Mustafën në pozitë shumë të keqe. “Nëse Serbia ka fuqi të vetos mbi Kosovën, ky është kërcënimi më i madh që kemi identifikuar.  Kjo është shumë për kosovarët për ta kapërdirë,” vazhdoi Malazogu.

Ndërkohë, të dhënat tregojnë se dialogu që vazhdon në Bruksel, ose, më mirë të themi, mungesa e zbatimit të pjesës më të madhe të marrëveshjeve të arritura deri tani, duket se ka pasur efektin e mbajtjes së serbëve të Kosovës afër Beogradit në vend që t’i afrojë ata më shumë me Prishtinën.

“ ‘Improvizimet’ që po përpiqet të sigurojë dialogu Kosovë-Serbië kanë shërbyer vetëm për t’i larguar njerëzit nga ndonjë nevojë për të bashkuar forcat për të zgjidhur probleme të përbashkëta,” vërejti Beqaj.

Një raport i Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm në korrik të vitit 2013 tregoi se numri i serbëve që e identifikuan veten si qytetarë të Kosovës ranë atë vit, nga 33 për qind në vitin 2012 në vetëm 15 për qind në vitin 2013.

Në protestën e 24 janarit, Qamil Dili tha se ai nuk ka asgjë kundër serbëve të ulur në qeverinë e Kosovës, por Lista Serbe i kishte provokuar seriozisht shqiptarët.

“Në të kaluarën ka pasur serbë në qeveri por ata nuk na kanë fyer siç bëjnë ata aktualë,” tha ai. “Disa prej tyre madje folën edhe në shqip,” vërejti ai.

Njëri ishte Nenad Rasic, Ministër i Punës dhe Mirëqenies në qeverinë e mëparshme, i cili mbron serbët që pranojnë institucionet e Kosovës dhe është i shqetësuar nga ajo që ai percepton se është mënyra si Lista Serbe vë interesat e Beogradit mbi ato të banorëve lokalë.

Ai trembet se retorika që vjen nga Beogradi mund të dëmtojë jetët e serbëve të zakonshëm të Kosovës. “Ne duhet të pranojmë se shqiptarët janë shumicë,” tha ai. Lista serbe “nuk ka mendime apo politika. Ata thjesht zbatojnë idetë që ka Beogradi,” shtoi ai.

“Kjo do të krijojë më shumë pengesa, sidomos në bashkëpunimin dhe komunikimin midis serbëve dhe shqiptarëve . Përparimi që është arritur po shkatërrohet nga arroganca e Beogradit,” vazhdoi ai.

Rasic fajësoi politikanët shqiptarë të Kosovës se “kanë ndihmuar në përfshirjen e Beogradit në institucionet e Kosovës”.

Megjithatë, Rashic tha se kjo situatë nuk mund të zgjasë, duke qenë se Beogradi e tërheq vazhdimisht mbështetjen nga institucionet dhe punonjësit që ka financuar në veri të Kosovës që prej vitit 1998-1999.

“Ne thjesht duhet të presim që njerëzit të hiqen nga punët e tyre të mbështetura nga serbët dhe pastaj ata së shpejti do të kuptojnë se nuk ka qeveri tjetër përveç Kosovës,” parashikoi ai.

Ndërkohë, janë planifikuar protsta të tjera. Lëvizja Vetëvendosja ditën e enjte tha se protesta e ardhshme do të mbahet më 4 shkurt,  ku do të ketë përsëri thirrje për shkakrimin e Jablanoviçit dhe kthimin e Trepçës në një ndërmarrje publike.

“Është koha ta ndryshojmë Kosovën tani ose ta humbasim atë përgjithmonë,” tha deputeti i Vetëvendosjes Visar Ymeri. “Këto protesta erdhën vetëm për shkak të vështirësive ekonomike, por për shkak se njerëzit po humbasin shpresën se ky vend do të bëhet një vend siç duhet.”

Me raportim nga Una Hajdari dhe Nektar Zogjani.

SHKARKO APP