Vatikani gradualisht po e njeh Kosovën

Juliusz Janusz, delegat apostolik për Republikën e Kosovës i Vatikanit, i gëzoi besimtarët katolikë të Prizrenit me pjesëmarrjen e tij në meshën e madhe të së dielës.

Përveç mesazheve të paqes që përcolli në këtë ritual fetar, ai nuk la pa përmendur edhe sfidat nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Migrimi i të rinjve ishte fjala kryesore e tij në këtë meshë në Katedralen “Zonja Ndihmëtare” në Prizren, raporton Zeri.

Në fjalën e tij drejtuar të rinjve, ai apeloi që të rinjtë kosovarë të qëndrojnë në Kosovë.

“E ruaj gjithnjë një kujtim nga fëmijëria ime që i përket historisë suaj. Filmin e parë në jetën time që e kam parë ka qenë filmi mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, heroin tuaj të madh kombëtar. Shoh sikur të ishin sot trimëritë e këtij njeriu, vendosmërinë për të mbrojtur tokën e tij, ndjeshmërinë për drejtësi dhe fisnikërinë ndaj të tjerëve. Ai nuk zhgënjehej përballë vështirësive. E jeton ëndrrën e lirisë. E di gjithashtu situatën e sotme, që nuk ju lehtëson në realizimin e ëndrrave të tuaja. Shumë të rinj i braktisin këto toka në kërkim të një bote më të mirë. Natyrisht çdonjëri prej jush ka të drejtë të vendosë mbi jetën e vet e të kërkojë jetë më të mirë, por nga ana tjetër kush do të duhej që ta ndërtonte realitetin tuaj të ri në Kosovë, kush është shpresa e kësaj shoqërie??? Sigurisht jeni ju e ju duhet të gjeni motive për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të drejtë e paqedashëse. Shpresa jonë dhe gëzimi ynë s’është vetëm të kërkuarit e një sistemi material”, tha Juliusz Janusz, delegat apostolik për Republikën e Kosovës i Vatikanit, raporton televizioni publik.

Në anën tjetër, delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz, ka shprehur përkrahjen e gjithanshme të Vatikanit për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur, ndërsa Vatikani njohjen e Kosovës po e bën hap pas hapi”, tha ai.

Ai ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe ka shprehur përkrahjen e Vatikanit për zhvillimin e mëtutjeshëm të proceseve demokratike në Kosovë.

“Kishat në Kosovë nuk duhet të ndihen të vetme”, tha ndër të tjera Janusz.

Ai përcolli edhe lutjen e Atit të shenjtë të Papa Françeskut, në emrin e të cilit ndau bekimin apostolik. “Zoti e bekoftë Kosovën”, tha në fund Juliusz Janusz.

SHKARKO APP