Vdes 76 vjeçarja nga COVID-19 në Kosovë
Mëngjesin e sotëm një 76-vjeçare ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit nga Covid-19. E ndjera ishte nga rajoni i Prizrenit dhe qe disa ditë ka qenë e shtrirë për trajtim në Klinikën Infektive të QKUK’së, shkruan Gazeta Express.
Lajmin për vdekjen e saj e kanë bërë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas mjekëve e ndjera kishte pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
“Klinika Infektive e QKUK-së ka njoftuar se sot me datë 14.06.2020, në këtë klinikë ka ndërruar jetë pacientja R.M. (1944) nga komuna e Prizrenit. Pacientja ishte në trajtim në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike dhe ishte e diagnostikuar me Covid-19 si dhe kishte edhe sëmundjeve të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftimin e MSH’së.
Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 33 pacientë, të cilët kanë qenë të diagnostikuar me Covid-19
E ditët e fundit janë rritur dukshëm raste me Covid-19 në Kosovë. Mbrëmë pozitiv rezultuan 53 raste, ndërsa 7 pacientë janë shëruar.
Rastet e reja janë, 18 nga Prishtinë , 18 nga Vushtrria, 11 nga Istogu, 3 Rahovec, dhe nga 1 në Fushë Kosovë, Viti dhe Pejë.
Ndërsa nga data 8 shkurt deri më 13 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 18.247 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultuan gjithsej 1.437 raste, me gjithsej 32 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 928 raste
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.