Veseli: Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se beson që Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta, meqë për të “është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes”.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Veseli ka thënë se lirimi i parakohshëm i ish-pjesëtarit të njësisë “Akrepat”, Miodrag Sholaja, nga autoritetet e Serbisë, është një akt i turpshëm.

“Kosova nuk duhet të lejojë që historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin”, ka shtuar ai.
Javën e kaluar është bërë e ditur se Miodrag Sholaja, i dënuar për masakrën ndaj civilëve shqiptarë në Podujevë më 1999, është liruar me kusht, pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit të tij.

Gjykata e Apelit në Beograd, në vendimin e datës 31 korrik, ka marrë vendim për lirimin e tij, tre vjet para përfundimit të dënimit, pasi ka kryer 12 nga 15 vjetët sa ishte i dënuar me burgim.

Sholaja ka qenë i dënuar për pjesëmarrje në masakrën e Podujevës, në mars të vitit 1999, ku pjesëtarët e njësisë “Akrepat” qëlluan për vdekje 14 civilë shqiptarë, shtatë fëmijë prej moshës dy deri në 15 vjeç, dhe shtatë gra.

Përveç tij, Veseli ka përmendur edhe lirimin e një viti më parë të Sasha Cvjetanit, i cili po ashtu ishte liruar pa përfunduar dënimin e tij me burgim.
Cvjetan ka qenë një tjetër anëtar i njësisë “Akrepat” i dënuar me 20 vjet burg, për pjesëmarrje në masakrën e vitit 1999 në Podujevë.

Ndaj këtij vendimi, në emër të dy familjeve Duriqi dhe Bogujevci pati reaguar e mbijetuara e masakrës, Saranda Bogujevci.
“Kjo na bënë të kuptojmë si familje që Serbia nuk është e interesuar sa i takon drejtësisë. Nuk është e interesuar që t’i dënojë dhe të mbajë dënimin për kriminelët e luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë dhe nuk janë duke e marrë seriozisht këtë çështje. Si familje jemi shumë të zhgënjyer e të mllefosur dhe është e papranueshme që një person të lirohet për krimet të luftës”, pati thënë Bogujevci.

“Akrepat” fillimisht u krijuan si një formacion paramilitar në territoret e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

SHKARKO APP