Veseli: Është koha që Kosova të ketë Universitetin e Teknologjisë Informative
Është koha që Kosova të ketë Universitetin e Teknologjisë Informative. Në këtë funksion, kryetari Veseli propozoi që Objekti i Kuvendit në Gërmi t’i dorëzohet sektorit të TI-së, për t’u shndërruar në Universitet të Teknologjisë Informative”, theksoi sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Gjatë fjalës së tij në forumin “Zhvillimi ekonomik përmes Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit”, të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Hotelin “Emerald” në Prishtinë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Veseli tha se “mbështetja për këtë fushë tejet të rëndësishme, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, me theks për rininë, do ta ketë mbështetjen time të plotë në vazhdimësi”.
Duke e përgëzuar ministrin e Zhvillimit Ekonomik për këtë iniciativë, kryetari Veseli theksoi se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa përvetësim dhe përparim të teknologjisë së informacionit.
Kreu i Kuvendit tha se teknologjia e informacionit tashmë është një domosdoshmëri, për faktin se zhvillimi i saj po ecën shumë shpejt dhe ne duhet t’i zëmë trendët e këtij zhvillimi.
Duke garantuar mbështetjen e Kuvendit të Kosovës për çdo iniciativë të qeverisë, e cila pretendon të nxisë zhvillimin e këtij sektori dhe t’i eliminojë barrierat eventuale, kryeparlamentari Veseli vlerësoi se me një bashkim të forcave të të gjitha palëve: institucioneve, sektorit privat dhe donatorëve, mund të bëhet më tepër në këtë drejtim.