Veseli: Këto zgjedhje vendosin pro ose kundër aleatëve
Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli teksa ka pritur në një takim lamtumire ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe atë të Kroacisë, deklaroi se këto zgjedhje do të vendosin nëse janë pro apo kundër aleatëve.
Përmes një statusi në ‘Facebook’, Veseli ka thënë se falë luftës së UÇK-së në njërën anë dhe krijimit të partneritetit me aleatët perëndimorë, Kosova ka arritur lirinë dhe pavarësinë.
“Mëngjesin e sotshëm e kalova me disa miq ambasadorë që po përfundojnë mandatin e tyre në Kosovë. Ambasadorit britanik Ruairí O’Connell dhe ambasadores kroate, Marija Kapitanoviq, iu shpreha mirënjohjen për kontributin e dhënë gjatë kohës që kanë shërbyer në Kosovë dhe iu urova punë të mbarë në detyrat e tyre të ardhshme.
Kosova e arriti pavarësinë e saj fal luftës së guximshme të UÇK-së nga njëra anë dhe duke ndërtuar një koalicion të fuqishëm me partnerët ndërkombëtarë nga ana tjetër. Një nga temat për të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në zgjedhjet e ardhshme është nëse Kosova do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë apo do t’i trajtojë partnerët tanë si të ishin armiq dhe të përpiqet të mbijetojë e vetmuar. Unë gjithmonë kam besuar në partneritet. Unë mendoj se për të pasur sukses dhe prosperitet duhet të ruajmë marrëdhëniet speciale që kemi ndërtuar me SHBA dhe BE-në. Unë jam i bindur se duke dëmtuar këtë lidhje dëmtohet Kosova, prandaj ne nuk duhet ta lejojmë që të ndodh kjo gjë”, shkruan Veseli.