Veseli: Sukses i madh i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut
Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, thotë se marrëveshja e sotme për qeverinë e re ndërmjet BDI-së së Ali Ahmetit dhe LSDM të Zoran Zaev, është sukses i madh i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai në një postim në facebook, thekson se kryeministri i parë shqiptar në shtetin fqinj e bën të veçantë dhe historike këtë marrëveshje.
“Urimet e mia dhe të PDK-së për sjelljen e votuesve shqiptarë në këto zgjedhje, si dhe për BDI-në e Ali Ahmetin që po vazhdojnë t’i përfaqësojnë më së miri interesat e shqiptarëve atje”, ka shkruar Veseli.
LSDM dhe BDI arritën marrëveshje koalicioni për Qeverinë e re që do të udhëhiqet nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, me mandat 4-vjeçar. Zaev paralajmëroi se do të shfuqizohet Qeveria e Përzhinos dhe se në vend të saj në 100 ditët e fundit Qeverinë do ta udhëheqë një kryeministër tjetër i propozuar nga BDI-ja.
Dy liderët nuk prezantuan planet e tyre për ndarjen e posteve. Zaev njoftoi se kryetar i Kuvendit do të vazhdojë të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja. Sipas tij me BDI-në janë pajtuar që gjatë mandatit 4-vjeçar bashkërisht të punojnë në ndarjen e përgjegjësive sikur dhe përbërjes së qeverisë së re.