Vetëvendosje, tryezë në Tiranë: Të largohet ndikimi i Serbisë
Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar sot në Tiranë një tryezë me përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe historianë shqiptarë, për të folur mbi marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, sidomos lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Të dy përfaqësuesit e VV-së, Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca, kanë shpalosur elemente kundër krijimit të ‘asociacionit’. Ata e kanë quajtur të papranueshme dhe zhgënjyese qëndrimin indiferent që ka mbajtur qeveria shqiptare ndaj zhvillimeve të fundit të ndodhura në Kosovës, veçanërisht të ashtuquajturës ‘Zajdenicë’.
Glauk Konjufca tha se jo vetëm ‘Zajdenica’, por edhe marrëveshje të tjera në fushën e telekomunikacionit dhe energjisë janë marrëveshje nga të cilat ka fituar Serbia dhe jo Kosova, ndaj Shqipëria duhet të ishte shqetësuar në këtë aspekt.
‘Që prej qershorit 99-të Serbia ka pasur një qëllim ndarjen e brendshme etnike të Kosovës dhe ky asociacion i shërben kësaj”, tha Konjufca.
Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se Shqipëria duhet ta mbrojë Kosovën, në të njëjtën mënyrë sikurse Serbia e lufton Kosovën.
I pyetur nga gazetarët se a ka një alternativë kundër “Zajdenicës”, Ymeri u përgjigj se Kosova ka mundësi ta hedh poshtë këtë marrëveshje pasi nuk përputhet me Kushtetutën e Kosovës, pasi mbi të gjitha cenohet barazia e qytetarëve.
Ai shtoi se dialogu i hapur politik arrihet vetëm me kushtin që “Të largohet ndikimi i Serbisë ndaj territoreve të Kosovës”.
Edhe historianë shqiptarë si Pëllumb Xhufi dolën kundër projektit të “Zajdenicës” duke e quajtur: ‘një gjëmë e madhe për Shqipërinë dhe Kosovën”.