Veton Surroi: Marrëveshja në Uashington ishte e varfër dhe jo historike

Placeholder Image

Publicisti Veton Surroi e konsideron marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington si një marrëveshje të varfër dhe jo historike, që do të harrohet shpejt.

Në një intervistë për Ilva Now në Euronews Albania, Surroi analizoi gjatë elementët e marrëveshjes dhe përfitimet e saj, dhe u shpreh jo entuziast për fatin e bisedimeve, të cilat sipas tij duhet të kishin rinisur me një frymë të re, jo të vazhdoheshin me përfitime të pakta për Kosovën.

“Kjo marrëveshje është e varfër në rezultat, mund të ketë intensa teë tjera që nuk kanë të bëjnë as me Kosovën, as me Serbinë dhe si të tillë duhet pranuar dhe mbajtur mend herë pas here sesi nuk investohet kaq shumë për të prodhuar një produkt kaq të varfër,” u shpreh publicisti.

“Është një listë zotimesh të cilat koincidojnë te Kosova dhe Serbia… Të dy vendet kanë një dokument i cili nuk konsiderohet kontratë për aq sa duhet prezantuar kuvendeve të tyre. Pra, nuk duhet ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare,” shtoi Surroi.

Megjithëse e vlerësoi marrëveshjen si ndihmuese në disa aspekte, Surroi e quajti atë një koktej të çuditshëm angazhimesh, jo të zakonshëm në diplomaci.

Pyetur nga gazetarja Ilva Tare se çfarë e bënte marrëveshjen të çuditshme, ish-politikani u përgjigj se përzierja e shumë pikave si mini-Shengeni, homoseksualizmi, rrjetet 5G dhe Hezbollahu, nuk janë tregues të një marrëveshjeje historike, por lidhen me objektiva afatshkurtër politikë, që mund të ndikohen ndoshta edhe nga fushata zgjedhore e presidentit amerikan Trump.

Surroi u shpreh skeptik edhe për përfshirjen amerikane në zbatimin e marrëveshjes, sipas tij për shkak se SHBA është në fushatë elektorale dhe nuk dihet kush do të dalë fitues në zgjedhje, gjë që vë në dukje edhe mungesën e instrumentave zbatues të kontratës.

“Në fund të mandatit presidencial nuk bëhen marrëveshje. Kjo është një marrëveshje e cila, nëse quhet marrëveshje, do të kërkojë implementim,” u shpreh Surroi.

Marrëveshjet në parim nuk do duhej t’i hidhëronin palët, do duhej t’i pajtonin ato dhe ky dokument nuk do duhej të ishte i asaj natyre që do të hidhëronte Turqinë apo Rusinë apo Kinën apo këdo. Në fakt marrëveshjet e paqes duhet t’i pajtojnë të gjithë që mos të ketë shumë të pakënaqur, që të ketë më shumë të kënaqur,” shtoi publicisti.

Pyetur nga gazetarja Tare lidhur me pakënaqësitë e krijuar në Kosovë prej marrëveshjes, Surroi deklaroi se pritshmëritë për një marrëveshje në Uashington ishin të larta, por u shpreh se dakordësia nuk qe e një niveli të tillë.

“Nuk ka kapacitet të quhet historike jo e jo. Nuk ka kapacitet edhe të mbahet mend për shumë,” tha Veton Surroi.

Sipas tij, Kosova e humbi mundësinë të riniste me një frymë të re bisedimet me Serbinë, një shans i krijuar pas pezullimit nga taksa 100 për qind.

“Kemi të bëjmë me faktin se nuk ka pasur restart, rifillim të negociatave me një rikornizim. Kriza e shkaktuar nga taksa 100% ka qenë krizë e qëllimshme. Ka qenë krizë në mënyrë që të ndërpritet një formë negocimi, e cila ka qenë e dëmshme për Kosovën,” deklaroi publicisti.

Surroi nuk i kurseu as kritikat për qeverinë e re të LDK, udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti duke thënë se po shkon kundër premtimit “nuk do të negociojmë gjë tjetër veç marrëveshjes përfundimtare me Serbinë me të cilin mori pushtetin”.

“Po ne kemi pasur një krizë e cila ka prodhuar një pushtet të ri, një qeveri të re. Ajo qeveri është zotuar që para se të merrte pushtetin se nuk do të negocionte për gjë tjetër post për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. U pa se është e gatshme të negocioje cdo gjë, pra jo vetëm marrëveshjen përfundimtare, por ç’ka do që t’i vihet në tavolinë është në gjendje ta bëjë. Dhe kjo tregon se nuk i ka përmbushur objektivat e veta. Pra, kjo formë e sjelljes së pushtetit, e qeverisë tash hap çështjen se a duhet të riformatizohet edhe kjo formë e paraqitjes së Kosovës,” tha Surroi.

“Po pra, është çështje e partive politike. Ato duhet të vendosin nëse mendojnë se mund të rikonfigurojnë, të ndërtojnë një qeveri e cila do të jetë më serioze në proces negociator, atëherë dakord. Nëse jo, atëherë duhet të shkojnë në zgjedhje,” shtoi ai.

SHKARKO APP