Veton Surroi: Mos e fajësoni Lajçakun

Nga Veton Surroi –
Nuk i bën mirë vendit që brengosja kolektive me negociatat me Serbinë të transformohet në energji negative drejtuar lehtësuesit evropian M.Lajçak. Ai po konstaton gjendjen faktike të trashëguar nga marrëveshjet e nënshkruara mes kryeministrave të Kosovës dhe kryeministrit e presidentit të Serbisë në Bruksel. Gjendja faktike është kjo:
1. Kryeministri i Kosovës (Thaçi) ka nënshkruar në prill të vitit 2013 marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe. Dokumenti i nënshkruar parasheh një rrafsh të tretë të pushtetit.
2. Kryeministri i Kosovës dhe ekipi i tij negociator poashtu kanë nënshkruar planin për zbatimin e marrëveshjes. Elementi i parë i zbatimit është “adaptimi i kornizave juridike” në mënyrë që obligimet e marra të zbatohen. Kjo do të thotë se Kosova ka pranuar se duhet ta ndryshojë kornizën e vet juridike në mënyrë që të futet Bashkësia e komunave serbe në të.
3. Kuvendi i Kosovës me votën e dy të tretave të deputetëve të tij e ka ratifikuar këtë marrëveshje; pra ka ratifikuar obligimin e marrë nga Thaçi për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe si rrafsh i tretë i pushtetit , mes atij qendror dhe atij vendor.
4. Kryeministri i Kosovës (Mustafa) , në bazë të obligimeve të pranuara nga kryeministri paraprak dhe nga Kuvendi i Kosovës ka nënshkruar më 2015 një marrëveshje që është në vijimësi të asaj të vitit 2013, e që përshkruan parimet e ndërtimit të autonomisë territoriale të serbëve në Kosovë.
Formulimin se do ndryshuar Kushtetuta nuk e ka bërë Lajçaku. E kanë bërë nënshkruesi i Marrëveshjes së vitit 2013 dhe Kuvendi i Kosovës, me dy të tretat e votave të veta.
Ky është tashmë problem evident (dhe i radhës) për Kosovën , dhe nuk zgjidhet duke hedhur dru mbi Lajçakun apo ndërmjetësit e mëhershëm. Nuk zgjidhet as duke hedhur dru mbi njëri tjetrin në Kosovë.
Gjendja mund dhe duhet të tejkalohet, por kërkon maturi, diplomaci dhe unitet.

SHKARKO APP