VIDEO/ Tronditet Prishtina, plumba në festivalin e birrës, 42 të plagosur
Qytetarët e Prishtinës kanë kaluar momente paniku mbrëmjen e së premtes, teksa merrnin pjesë në festivalin e birrës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku një person mësohet se ka qëlluar me armë zjarri.
Një 15 – vjeçar mbeti i plagosur, ndërsa nga paniku njerëzit nisën të vraponin duke shkelur njëri-tjetrin. Për pasojë raportohet për disa të lënduar.
Në një deklaratë për mediat, mjekja Nerxhivane Halimi, e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës tha se janë të paktën 42 persona të lënduar nga kjo ngjarje.
Ata mësohet se kanë marrë lëndime nga armët e ftohta dhe ndrydhje nga paniku duke ikur, por sipas Halimit nuk ka të lënduar me armë.
Sipas Klan Kosovës, të shtënat me armë zjarri janë konfirmuar edhe nga policia, që thotë se ka gjetur edhe gëzhoja në vendin e ngjarjes. Megjithatë, policia thotë se dyshimet janë që personi ka qëlluar në ajër dhe adoleshenti, ndryshe nga sa u raportua në fillim, nuk është plagosur me armë, por me sende prerëse, që mund të ketë ardhur si pasojë e panikut.
15- vjeçari ka marrë dëmtime në këmbë dhe aktualisht ndodhet në spital, ku po merr dhe ndihmën e nevojshme mjekësore. Momentalisht mbetet e paqartë se kush qëndron pas të shtënave me armë ndërsa policia vijon kërkimet për kapjen e autorit.
Ngjarja vjen në një kohë kur Europa është tronditur nga disa sulme terroriste, më të fundit ato në Gjermani. Kjo ka bërë që menjëherë pas të shtënave, të pranishmit në festival të vraponin nga paniku, nga frika se bëhej fjalë për një sulm terrorist.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=oFimBf0hyfk” width=”560″ height=”315″]