Visar Ymeri i VV: Ndarja e shqiptarëve në futboll ka dashakeqësi
Kreu i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka komentuar mungesën e urimit për ekipin e futbollit të Kosovës, urimin që ai bëri vetëm për kombëtaren e Shqipërisë dhe komentet negative me të cilat është përballur më pas. Duke folur në emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin “News 24”, Ymeri deklaroi se qëndrimi politik që Vetëvendosje ka ndaj kësaj çështje është edhe i drejtë, edhe parimor, por është edhe i dobishëm.
“Në këtë drejtim ne do të mbetemi të vendosur. Ajo çfarë propozojmë ne është se Shqiptarët duhet t’i unifikojnë ligat Kosovë-Shqipëri dhe të kemi një kombëtare. Deri në qershor të këtij viti kishim një kombëtare dhe emocioni që u krijua gjithandej për sukseset e kombëtares tonë ka qenë i paçmueshëm dhe në këtë drejtim mendoj që ky projekti i ndarjes së shqiptarëve në futboll, aty ku ishim bashkë ka një dashakeqësi nga pas”, deklaron Ymeri.
Kreu i Vetëvendosjes bën një krahasim mes fushatës që Beogradi ka bërë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, dhe fushatës për anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, duke thënë se ato janë lehtësisht të krahasueshme.
“Serbia ka qenë shumë më e vendosur, me tone shumë më fashiste dhe raciste kundër pranimit të Republikës së Kosovës në UNESCO, sepse pranimi i Republikës së Kosovës në UNESCO do ta trajtonte trashëgiminë kulturore të Mesjetës në Republikën e Kosovës si një trashëgimi kulturore të Kosovës, e cila aktualisht është regjistruar si e Serbisë. Pra pranimi në UNESCO do të nënkuptonte ndarje nga Serbia në fushën e trashëgimisë kulturore, që është një fushë shumë e rëndësishme. Ndërkohë që pranimi në FIFA dhe UEFA realisht është ndarje nga Shqipëria. E ndau futbollin e Shqiptarëve në dysh. Nuk po them se krijon përçarje, por kjo ka rrezik të evoluojë në diçka që nuk na nevojitet”, thekon Ymeri.
I pyetur rreth pajisjes së drejtuesve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje me pasaportat e Shqipërisë, ku qytetarët udhëtojnë pa viza në zonën Shengen ndryshe nga qytetarët e Kosovës, Ymeri e quan pajisjen me shtetësi të Shqipërisë një nder.
“Kjo është realizuar përmes presidentit Bujar Nishani. Mendoj se pajisja e disa prej zyrtarëve të lëvizjes Vetëvendosje me pasaportat dhe shtetësinë e Shqipërisë përveçse krenari është edhe një ndihmesë jashtëzakonisht e madhe, jo fort te udhëtimi pa viza sepse një gjë duhet ta dinë të gjithë se zyrtarët e lartë, qofshin ata deputetë apo zyrtare qeveritarë nuk është se kane pasur ndonjëherë problem për t’u pajisur me viza.
Kështu ne udhëtojmë në ato vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe që nuk e pranojnë pasaportën e Kosovës. Një shembull shumë i thjeshtë është fakti se nuk mund të udhëtosh në Spanjë me pasaportën e Kosovës sepse Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ju e dini që lëvizja Vetëvendosje është një subjekt politik i cili angazhimin e vet e ka vendosur në funksionin të arritjes së bashkimit të shqiptarëve në një shtet”, deklaron Visar Ymeri për “News 24”.