Vitet e arta të Hashim Thaçit dhe vdekja e Ibrahim Rugovës

Nga Berat Buzhala – Në fund të vitit 2004 u organizuan zgjedhjet e dyta nacionale. Pas asaj çfarë kishte ndodhur në tri palë zgjedhjet e mëhershme, askush nuk priste më befasi. Një palë zgjedhje nacionale, në vitin 2001, dhe dy të tjera lokale, 2000 dhe ato të vitit 2002 i kishte fituar LDK, bindshëm. E njëjta gjë ndodhi edhe në tetorin e vitit 2004. Lidhja Demokratike e Kosovës prapë doli e para. Derisa PDK gjatë gjithë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2004 po fliste për tema të mëdha, si pavarësia e Kosovës, Ibrahim Rugova, në anën tjetër, i patrazuar me zhvillimet për rreth tij, vazhdonte e fliste për tema periferike. Pothuajse po i ofendonte rivalët me indiferencë. Bënte fushatë për kultivimin e racës së qenve të Sharrit, për speca turshi, e për çfarëdo tjetër. Nuk kishin kaluar as disa muaj kur vendi ishte përfshirë në flakët e trazirave të marsit të vitit 2004, por Rugova reagonte sikur të mos kishte qenë këndej ato ditë. Madje, për të, edhe pavarësia ishte çështje e përfunduar – ende pa u shpallur. Për Rugovën pavarësia ishte kryer në vitin 1990, në mos edhe më herët. Sido që të jetë, përkundër të gjitha këtyre, LDK doli partia e parë në vend.

Por tashmë jo me rezultatet e para tri viteve. Ndonëse për rrethanat e ditëve të sotshme prapë fitorja ishte e thellë. LDK kishte rënë në 45 për qind, prej rreth 60 për qind sa kishte qenë tri vite më herët. Për ta bërë Qeverinë megjithatë i duhej edhe një partner, jo aq i madh. Në menynë e tij, Rugova kishte PDK-në me 28 për qind, AAK-në me 8, ose partinë e sapokrijuar ORA të Veton Surroit, me 6-7 për qind. Kjo e fundit kishte qenë partia më agresive kundër LDK-së gjatë gjithë fushatës, prandaj ishte opsion joreal për koalicion.

Thuhet se dy partitë e luftës, PDK dhe AAK, e kishin arritur një marrëveshje të fshehtë, që në koalicion me LDK-në, ose të shkonin së bashku, ose hiç fare. Kjo aleancë, si e tillë, zgjati deri kur Ramushi e mori ftesën për të qenë kryeministër. Ai kishte dëgjuar që emri i tij po përflitet për të qenë klient i radhës në Hagë. Për këtë arsye e kishte harruar marrëveshjen e fshehtë më PDK-në, duke e bërë një marrëveshje të hapur me LDK-në. Mirëpo, PDK kurrë nuk e ka harruar këtë “mjekër” të lëshuar nga Haradinaj. Tashmë Thaçi edhe personalisht, por edhe si parti politike ishte mbajtur larg prej pushtetit. Për herë të parë po qëndronte në opozitë. Përballja me Haradinajn si Kryeministër, për PDK-në, ishte shumë më problematike, se sa bie fjala me LDK-në.

Bie fjala, disa javë pasi ishte zgjedhur Kryeministër, në një stadium të mbushur plot, Haradinaj i shau me nënë të gjitha ata që po e fishkëllenin. “Komandantat e Bllacës….”, tha Haradinaj. Por gjërat ndryshuan shpejt. Haradinaj u shtrëngua të jepte dorëheqje, sepse tashmë edhe zyrtarisht ishte i akuzuar nga Prokuroria e Hagës. Insistimi se pozita e kryeministrit ndoshta do t’i ndihmonte që të mos paditej nga Tribunali doli të ishte vetëm një dëshirë e tij. Pas shkuarjes së Ramushit në Hagë, koalicioni LDK – AAK e kishte marrë teposhtën. Fillimisht, si pasues i tij, ishte caktuar Bajram Kosumi, e pastaj Agim Çeku. As njëri e as tjetri nuk ishin autoritete të duhura për t’i mbajtur nën kontroll njerëzit e Ramushit të shpërndarë nëpër ministri të ndryshme. As ministrat nuk i përfillnin. Rugova në anën tjetër jetonte në ishullin e tij, pa e vrarë mendjen për punët e shtetit.

I vetmi sukses i arritur në këtë kohë ishte një raporti i përfaqësuesit të OKB-së për Kosovën, Kai Eide. Pas trazirave të vitit 2004 në Kosovë, OKB e kishte dërguar z. Eide për të analizuar gjendjen në vendin tonë. Norvegjezi kishte konstatuar se sa më shpejt duhet të adresohet çështja e statusit final, sepse nuk do të mund të vazhdohet edhe gjatë në këtë formë. Kjo ishte në rrafshin e marrëdhënieve tona me Perëndimin. Në rrafshin e qeverisjes gjendja ishte aq e keqe, sa ishte komike. Askush nuk pyeste askënd. Kosova në atë kohë kishte kryeministra, aq sa kishte ministra. Ministrat e LDK-së nuk e pyesnin kryeministrin e AAK-së, kurse as ministrat e AAK-së nuk e pyesnin e as nuk i përgjigjeshin kryeministrit të AAK-së.

PDK, duke qenë partia më e madhe opozitare në vend, e Thaçi duke qenë lideri ende i pa provuar me pushtet de jure, filluan ta fitojnë simpatinë e qytetarëve neutral. Për ta përforcuar edhe pak ma shumë pozicionin e tij, Thaçi, gjatë asaj kohe e kishte formuar Kabinetin e Qeverisjes në Hije, ose Qeverisjes së Mirë, që kishte qenë një imitim i bukur i lojërave politike në Britani të Madhe. Bashkëpunimi i tij me media kishte filluar të rritej. Kryetari i PDK-së kishte hequr dorë prej jetës gjysmëilegale. Po njoftohej me qytetin, ndoshta për herë të parë. Kryeministrat si Bajram Kosumi dhe Agim Çeku, para Thaçit dukeshin shumë të pafuqishëm.

Qytetarët po e kërkonin një kryeministër të vërtetë, të paprovuar më parë, qoftë ai edhe pak arbitrar. Këtë e nuhatën Thaçi dhe ekipi i tij. Pa humbur kohë filluan ta godasin fuqishëm qeverisjen LDK – AAK. Me shumë të drejtë. Thaçi po akuzonte koalicionin LDK – AAK se po qeveriseshin nga “parapolitika”. Nënteksti i kësaj akuze ishte se Haradinaj ishte kryeministri i vërtetë, por ai po qeveriste pa qenë kryeministër. Gjithashtu kjo ishte koha kur mediat filluan të raportonin gjerësisht për krimet e kryera në shtëpinë e Presidentit Ibrahim Rugova. Dolën në publik dosje e sponsorizuara nga PDK për të ashtuquajturin Sigurimi i Atdheut, organizatë ilegale e LDK-së, e udhëhequr nga Këshilltari Special i Rugovës, Ramë Maraj.

Kosova prej vitit 2004 deri në vitin 2007 ishte njoftuar për herë të parë për lojën pozitë – opozitë. Thaçi e kishte shfrytëzuar këtë ambient të përshtatshëm për t’i përfunduar edhe disa reforma personale. Përmirësimi i imazhit të tij, si bie fjala luku i ri, ose frizura e re, shoqërimi me figura jashtë orbitës së ngushtë të PDK-së, maturimi në intervista , posaçërisht gjuha e kujdesshme ndaj serbëve, pjesëmarrja e tij në trupa nacionale, kur ishte fjala për statusin final të Kosovës, siç ishte Ekipi i Unitetit etj.

Pas pesë gjashtë vitesh plot rrëmujë, Thaçit, më në fund, kishte filluar t’i buzëqesh fati gjithandej. Opinioni, përveç me qeverisjen skandaloze LDK – AAK, u trondit edhe nga lajmi për sëmundjen e Rugovës nga kanceri. Vlera e aksioneve të Thaçit në bursën politike të Kosovës shënuan pikën më të lartë. Çdo gjë fliste në favorin e tij. Të joshur nga kjo perspektivë, të joshur nga ideja që PDK do ta fitonte pushtetin, ofertat e Thaçit për t’iu bashkuar PDK-së tashmë nuk hasnin në vesh të shurdhër. Figura të shquara nga shoqëria civile, si Astrit Salihu, Dukagjin Gorani, Tomë Gashi etj., u rreshtuan pa mëdyshje krah liderit më premtues në vend. U rreshtuan edhe njerëzit e biznesit. Edhe minoritetet. Edhe mediat. Me fituesin janë të gjithë. Tashmë Thaçi nuk dukej më as shumë fshatar. Qyteti dhe qytetarët filluan të flasin për shtatin e tij të hedhur, për ecjen e tij të bukur, për stilin e tij të ri. “Kryeministri duhet me kanë edhe pak i bukur”, i dëgjoje secilën herë e më shumë këto klithje. Mediat dhe analistët e pavarur – duke përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave – filluan ta përgatisin terrenin për fitoren e PDK-së dhe Hashim Thaçit.

Në janar të vitit 2006, ndodhi ajo që të gjithë e prisnin: vdiq Presidenti Rugova. Profecia po realizohej. Tashmë Thaçi në mënyrë të pakontestueshme ishte figura e dytë më e rëndësishme politike në vend. Krejt çfarë kishte mbetur ishte edhe certifikimi me vota i kësaj ngjarjeje. Për t’ia bërë fitoren më të lehtë kundërshtarit të tyre historik, LDK vendosi të vetëshkatërrohej edhe pak më shumë. Pesha që Rugova ua kishte lënë mbi supe, ishte tepër e rëndë për udhëheqësit e LDK-së. Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci vendosën që të ndanin LDK-në në dysh. Kështu Hashim Thaçi e kishte komoditetin që të përkulej para varrit të rivalit kryesor të tij politik, Ibrahim Rugova. Nuk e di a e kishte edhe dëshirën. Vështirë të thuhet.

Mirëpo, duhet që të jemi korrekt dhe të flasim pa emocione të ngritura: kjo ishte garë historike, e edhe vdekja është pjesë e saj. Dikush humb e dikush fiton. Këtë herë Thaçi po fitonte, fal rreshtimi të të gjithë yjeve në anën e tij. Dhe kjo nuk ishte e gjitha. Thaçit, në gjuhën e pokerit, në tavolinë iu hapen dhjetë, xhandar dhe çikë. Në dorë e kishte mbretin edhe pikën. Të gjitha këto diamant. Në anën tjetër, përpara vdekjes së Rugovës, ishte kthyer nga Haga edhe Fatmir Limaj. Pas disa dyshimeve fillestare, Limaj u rreshtua prapa Thaçit. Ekipi ishte komplet. Ekipi kundërshtar në katrahurë të plotë. Kjo ishte mundësia jetësore për Thaçin. Nëse do ta humbiste edhe këtë dorë atëherë pozita e tij në parti do të lëkundej përfundimisht. Askush nuk do të kishte durim të priste pafundësisht në opozitë. Shto këto faktin që shumë shpejt do të adresohej edhe çështja e pavarësisë së vendit. Ishin rrethana të arta.

Për ta përforcuar edhe më shumë bastin e tij, Thaçi angazhoi, më në fund, këshilltarë të jashtëm. Ata po kryenin sondazhe. Po e informonin për pozitën e tij elektorale. Kjo po ndodhte për herë të parë në Kosovë. Ai tashmë ishte bërë gati për zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit 2007.

“Express”

SHKARKO APP