Vizitoi familjen e dëshmorit Afrim Bunjaku, Kurti: Askush nuk mund ta cenojë sigurinë

Rënia e Afrim Bunjakut është dëshmi që Kosova edhe i del zot vetes, edhe ngadhënjen në çdo betejë. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti, pas vizitës në familjen e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë një vit më parë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Në një deklaratë për gazetarët, Kurti deklaroi se sot askush nuk mund ta cenojë sigurinë dhe stabilitetin e vendit të tij, pasi shteti kontrollon të gjithë territorin e vendit, teksa theksoi që edhe numri i policëve po rritet.

“Sot Kosova nuk ka burime të brendshme që e cenojnë sigurinë dhe stabilitetin dhe që nuk arrijmë t’i kontrollojmë apo menaxhojmë anëekënd Kosovës është shteti i Kosovës, i Republikës demokratike të pavarur. Numri i policëve e kadetëve të rinj po rritet. Morali i policisë e ushtrisë sonë kurrë nuk ka qenë më i lartë”, tha Kurti.

Sipas kreut të qeverisë së Kosovës flijimi i Afrim Bunjakut ia ka vlejtur për policinë, shtetin dhe gjeneratat e ardhshme. Kurti theksoi se forcat armike fshihen në Serbi pas ikjes me turp nga kosova një vit më parë.

“Ky flijim i rreshterit të policisë, heroit të Kosovës ia ka vlejtur për policinë, shtetin dhe gjenerata e ardhshme. Ata policë që ishin në betejë me të nuk lejuan që trupi i pajetë i heroit tonë të bjerë në duart e forcave armike që ishin të dirigjuara nga Serbia me paramilitarë që kishin armatim më shumë. Ikën me turp, i lanë të vrarët e të plagosurit e tyre dhe sot fshihen në Serbi se dinë që e kanë të humbur betejën me shtetin tonë”, u shpreh Kurti.

Një vit pas sulmit në Banjskë, ministri Sveçla: Serbët po përgatiten të na sulmojnë

Ai akuzoi sërish Serbinë si përgjegjëse për sulmin e Banjskës dhe kërkoi nga ndërkombëtarët që Serbia të japë llogari për këtë ngjarje.

“Serbia është përgjegjëse dhe duhet të japë përgjegjësi dhe në këtë pikë kërkojmë mbështetjen e faktorëve ndërkombëtare”.

Kurti njoftoi gjithashtu se kujtimi i heroit Afrim Bunjaku do të jetësohet me rrugën që mban emrin e tij.

“Idealet e dëshmorëve për ne do t’i jetësojmë dhe po i jetësojmë. Kujtimin tonë për ta do ta përjetësojmë. Sot në Banjskë është vendosur tabela rruga Afrim Bunjaku. Kjo është rruga e të gjithëve ne. Lavdi Afrim Bunjakut dhe dëshmorëve të Kosovës!”.

SHKARKO APP