Vjosa Osmani: Jo koalicion me PDK-në. Pas zgjedhjeve vendosim për Vetëvendosjen

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres, Vjosa Osmani tha se nuk do të krijojë ndonjë koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, por synon që të bashkëqeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje.  Në këtë intervistë ajo po ashtu tregon se pse qytetarët duhet ta votojnë atë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Osmani, ju jeni kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres për zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor. Pse qytetarët duhet të ju votojnë ju për kryeministre dhe jo kandidatët e tjerë?

Vjosa Osmani: Në radhë të parë për shkak se i takoj një partie politike e cila ka dëshmuar kontributin e saj në shtetndërtim, por po ashtu edhe për zhvillimin e këtij shteti pas shpalljes së pavarësisë.

E dyta, për shkak të programit që ne kemi, program i cili komplet ndryshon mentalitetin e deritanishëm qeverisës dhe në vend se të investojë pjesën dërmuese të buxhetit në asfalt, tanimë e kthen komplet vëmendjen në investim në kapitalin njerëzor, që do të thotë arsim, shëndetësi dhe punësim në veçanti për të rinjtë.

Dhe e treta, për shkak të veprimtarisë, konsistencës dhe përvojës sime jo vetëm politike, por edhe asaj profesionale, që unë e shoh si të domosdoshme për të qenë e suksesshme në një punë të tillë, në Qeverinë e Kosovës, në udhëheqje të shtetit, për dallim nga kundërkandidatët, të cilët përveç përvojës së tyre politike, nuk kanë pasur asnjëri nga ta përvojë profesionale në profesionet e tyre.

Pra, këto janë disa nga arsyet. Unë mendoj që qytetarët e Kosovës, pas 20 vjetësh liri, më në fund do ta kenë mundësinë që t’i japin shansin një gjenerate të re në politikë, me mendësi të re, të shkolluar jashtë vendit dhe që sjellë një qasje komplet tjetër në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve të Kosovës. Dhe më në fund, natyrisht fitorja e një gruaje në këto zgjedhje, për mua do të jetë transformuese, jo vetëm për institucionet e Kosovës, por në fakt për shoqërinë në tërësi dhe do të jetë tejet e rëndësishme që pas mandateve të mija, të lë pas një trashëgimi ku më asnjë vajzë, asnjë grua në Kosovë mos të ndjehet inferiore se nuk mund të kryejnë një profesion, pavarësisht çfarë fushe është ajo politikë, ushtri apo ndonjë tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Një nga detyrat e para të kryeministrit apo kryeministres së ardhshme të Kosovës do të jetë dialogu me Serbinë. Cila do të jetë qasja juaj në raport me këtë proces?

Vjosa Osmani: Do të jetë qasje që ka për bazë interesat themelore të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës. Natyrisht që si LDK, gjithnjë kemi insistuar që temat që kanë të bëjnë me kufijtë, sovranitetin shtetëror, me rregullimin e brendshëm të Kosovës assesi nuk mund të vihen në tavolinë. Por, për mua do të jetë tejet e rëndësishme që për herë të parë në këtë proces, t’i japim dialogut edhe një frymë ose një kontekst human sepse nuk duhet të harrojmë kontekstin e relacioneve Kosovë-Serbi dhe pse kemi ardhur deri këtu.

Serbia është shtet që ka kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë, prandaj duke qenë akoma shtet që as nuk ka kërkuar falje dhe as nuk i pranon krimet e tilla e as nuk ka paguar reparacionet e luftës dhe akoma i kemi rreth 1,700 të zhdukur nga Kosova, ne nuk mund të sillemi në këtë proces kinse ato gjëra nuk kanë ndodhur. Prandaj edhe synimi im është që këto tema, këto çështje t’i vëmë si prioritet në procesin e dialogut sepse nuk besoj që mund të ketë paqe, pa pasur fillimisht drejtësi.

Radio Evropa e Lirë: Do të kërkoni mbështetjen dhe konsensusin e opozitës në procesin e dialogut, nëse do të jeni kryeministre e ardhshme?

Vjosa Osmani: Absolutisht, unë këtë e shoh si të domosdoshme në mënyrë që procesi të jetë i suksesshëm. Pra, për dallim nga qeveria e kaluar dhe qeveritë e udhëhequra nga (presidenti aktual i Kosovës, Hashim) Thaçi, për mua transparenca është element thelbësor i një procesi të suksesshëm. Prandaj edhe do t’i ofroj bashkëpunim maksimal opozitës në të ardhmen sepse vetëm ashtu mund ta ndërtojmë një unitet nacionale rreth kësaj teme kaq jetike për vendin.

Radio Evropa e Lirë: Dhe si do të veproni me çështjen e taksës që Kosova ka vënë për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina?

Vjosa Osmani: Tarifa duhet të bëhet pjesë e marrëdhënieve tona reciproke me Serbinë, qoftë reciprocitet politik, por edhe ashtu ekonomik dhe pastaj ne do të insistojmë që Serbia mos të kushtëzojë uljen në tavolinën e Brukselit apo të Bashkimit Evropian me tarifën, përderisa ata akoma, siç e thash, janë shtet që nuk kanë kërkuar falje për krimet e kryera dhe akoma kanë shumë barriera jotarifore në raport me mallrat nga Kosova.

Prandaj, ne do të ulemi në tavolinë, por assesi t’i pranojmë kushtet e Serbisë të cilat ata po i vënë në mënyrë që dialogu të vazhdojë. Pra, asnjëra palë nuk duhet të kushtëzojë. Do të ulemi në tavolinë dhe aty pastaj i diskutojmë marrëdhëniet tona tregtare, përfshirë edhe tarifën.

Radio Evropa e Lirë: Cilat do të jenë veprimet tuaja për të ndryshuar gjendjen në forcimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Vjosa Osmani: Për mua sundimi i ligjit është parakusht në mënyrë që ne të realizojmë cilëndo pjesë tjetër të programit tonë, qoftë ai për zhvillim ekonomik, investim në arsim e shëndetësi, por edhe në fakt krijimi i një imazhi të mirë për vendin tonë, i cili edhe do të thithë investime të huaja, por edhe do të krijojë një partneritet ndërkombëtar efektiv.

Prandaj, është si lloj parashtylle e programi tonë. Do të ndërmarrim masa që kanë qëllim dekriminalizimin e sistemin të drejtësisë dhe atij të sigurisë dhe kjo do të arrihet nëpërmjet një vetting-u të sërishëm, por i cili është më efektiv dhe më përmbajtjësor sesa ai që ka ndodhur në vitin 2008 dhe të cilin synojmë ta bëjmë në partneritet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Dhe në të njëjtën kohë, duhet të ndërmerren masa, qoftë legjislative, infrastrukturore dhe të përkrahjes për sistemin tonë të drejtësisë në mënyrë që të krijojmë jo vetëm kushte të punës, por mbi të gjitha kushte të tilla të sigurisë për gjyqtarët, prokurorët dhe anëtarët e sistemimit tonë të sigurisë, që kurrë më mos të ndodhë në sistemin tonë që një politikan t’i bëjë presion, të shantazhojë, të kërcënojë apo të vendosë gjyqtarët e prokurorët në pozitat të tilla që t’i shfrytëzojë ata për qëllime politike.

Kjo do ta ndihmojë sistemin tonë të drejtësisë që të marrë vendime të pavarura, që bazohen vetëm në ligj dhe Kushtetutë dhe mbi të gjitha të krijojë një besueshmëri të qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: Koalicionet duket se do të jenë të pashmangshme pas zgjedhjeve. Cilat parti politike apo koalicione i shihni si partnerë të mundshme të LDK-së pas zgjedhjeve për formimin e qeverisë?

Vjosa Osmani: Tani ne kemi një vendim të Këshillit tonë të Përgjithshëm që përjashton çdo mundësi koalicioni me PDK-në dhe natyrisht ne nuk shohim mundësi bashkëpunimi me atë parti. Mendojmë që duhet të shikojmë mundësit e krijimit të një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje. Natyrisht ka tema për të cilat akoma nuk kemi pajtim të plotë me ta, mirëpo jam optimiste që pas fitores tonë në zgjedhje, do të mund të ulemi me Vetëvendosjen dhe të arrijmë një pajtueshmëri rreth qeverisje sonë të përbashkët.

SHKARKO APP