Vjosa Osmani në Tiranë, analistët: Vizitë e mirë në plan personal

Reagimet nga politika kosovare, për deklaratat e fjalimet e Presidentes në detyrë, Vjosa Osmani gjatë vizitës tre ditore në Shqipëri nuk janë të pakta. Analistët mendojnë se reagime më të ashpra do të mund të priteshin nga politika kosovare nëse Osmani, do të bënte gabime gjatë kësaj vizite. Në fakt kritika për fjalimet e Osmanit në Shqipëri, pati edhe nga politikanë të tjerë, por të një niveli më të ulët. Zyrtarë të partive në pushtet e opozitë nuk u pajtuan sidomos me mospërmendjen nga Osmani në Parlament të UÇK-së.

”Unë si qytetare e Republikës së Kosovës në radhë të parë, si nënë dhe mbi të gjitha si bashkëqytetare e bashkëveprimtare e shumë dëshmorëve të rënë për liri nën betimin e ushtarit të UÇK- së, e krejt në fund edhe si deputete, refuzoj të përfaqësohem nga një njeri, e për më keq nga një kolege imja, e cila shkel qëllimshëm mbi Lavdinë më të Madhe shqiptare në shek. XX – UÇK-në”, tha Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së

Pavarësisht mospërmendjes së UÇK-së, analistët mendojnë se fjalimi i saj në Kuvend ishte i mbështetur në disa pika të forta. ”Ajo përmendi gjenocidin serb, që duhet ta dënojë Shqipëria, të zhdukurit, vrarët, përdhunuarit e të gjitha kategoritë, gjë që tek ne është parë se nuk e përmendin shumë, veçanërisht kur shkojnë në Shqipëri apo ata kur janë këtu”, tha Gashi.

Analistët deklarojnë se kjo vizitë do të shfrytëzohet nga Osmani, ndër të tjera edhe për promovim të saj me subjektin e ri politik, që do të krijojë. Vjosa Osmani ka paralajmëruar tashmë se do ta formojë partinë e saj politike, pas përjashtimit nga LDK-ja. Aktualisht ajo nuk e ka fshehur se pas zgjedhjeve do të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosja e Albin Kurtit.

SHKARKO APP