Vjosa Osmani: Serbia po përpiqet të dëmtojë arritjet e SHBA në Kosovë e rajon
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, me të cilin diskutoi për situatën e krijuar pas vendimit për të zbatuar reciprocitetin për targat e makinave nga Serbia.
Kryetarja e Shtetit mësohet t’i ketë thënë zyrtarit të lartë amerikan se Serbia po përpiqet që të zhbëjë arritjet e SHBA, BE dhe NATO në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit.
Gjithashtu, presidentja Osmani tha se vendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me targa është i ligjshëm. Sipas saj, zbatimi i kësaj mase nga institucionet e Kosovës është në përputhje të plotë me Marrëveshjen e dakorduar në Bruksel, por e cila nuk është zbatuar nga ana e Serbisë.