Vjosa Osmani zgjidhet Presidente e Kosovës, nuk ka zgjedhje të parakohshme
Pas dy raundeve që dështuan, në raundin e tretë dhe final në seancën e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani u zgjodh Presidente e Kosovës me 71 vota dhe vendi nuk shkon në zgjedhje të parakoshme, ashtu sikurse u përfol ditët e fundit, nisur edhe nga mos sigurimi i votave të mjaftueshme.
Vjosa Osmani është zgjedhur me 71 vota nga 82 deputetë që ishin në sallë si Presidentja e gjashtë e Republikës së Kosovës dhe e dyta grua që do të mbajë këtë post. Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje nga lista “Guxo”, Vjosa Osmani u zgjodh në raundin tretë që ishte final për përcaktimin e Presidentit të ri të vendit.
Në Kosovë zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstitua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Vjosa Osmani është po ashtu edhe njeriu më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë që prej kur ato organizohen me lista të hapura. 38-vjeçarja në zgjedhjet e 14 shkurtit mori besimin e 300 mijë e 788 kosovarëve.
Kush është Vjosa Osmani, presidentja e dytë grua në Kosovë?
Vjosa Osmani, 38 vjeçare është juriste e diplomuar që është inkuadruar në politikë që në adoleshencë si aktiviste e LDK-së. Ajo ka lindur në qytetin e Mitrovicës, është e martuar dhe ka vajza binjake. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Tash e tri mandate, Osmani është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, me ç’rast në dy mandatet e fundit, ishte deputetja grua më e votuar në Kosovë.Ndryshe, Osmani-Sadriu është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës.
Vjosa Osmani-Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës, Kosovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në qytetin e saj të lindjes. Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste. Si profesoreshë universiteti, në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.
Aktualisht është kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë. Krahas ndërtimit të karrierës së suksesshme, Vjosa është martuar dhe është nënë e dy vajzave binjake. Angazhimi politik i familjes së Vjosës, ndikoi në formimin dhe angazhimin e saj politik. Karriera politike e Vjosës filloi qysh në adoleshencë, kur edhe ishte aktiviste e LDK-së, për t’u ngritur më pas ndër vite. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Ndonëse në moshë të re, ajo njihet për kontributin e saj të dhënë për pavarësimin e Kosovës, saktësisht njihet kontributi i saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku në atë kohë ishte pjesë e palës kosovare në mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, rast të cilin Kosova e kishte fituar kundrejt Serbisë. Në këtë proces jetik për pavarësimin e vendit, Vjosa ka shërbyer si përfaqësuese e Kosovës.
Vjosa i përfundoi studimet e nivelit bachelor në Kosovë me bursë, e cila iu nda nga Ministria e Arsimit, duke u vlerësuar nga e njëjta si studentja më e mirë e Fakultetit Juridik në Kosovë. Njëherësh, ajo u zgjodh edhe një ndër pesë studentët më të mirë të vendit nga të gjitha fakultetet. Në vitin 2004, ajo ishte përfituese e bursës për përfundim të studimeve të nivelit master në Universitetin e Pitsburg-ut në SHBA. Në vitin 2005 është shpërblyer dy herë me Çmimin “Excellence For The Future Award”, nga Universiteti i Pitsburgut. Në vitin 2009, falë suksesit të treguar, kishte fituar përsëri bursë të plotë studimi, për përfundim të studimeve të doktoraturës në të njëjtin universitet, ku u fokusua përsëri në fushën e Juridikut, konkretisht në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare. Po ashtu, për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, ajo u vlerësua me Çmimin “Sheth International Achievement Aëard”, nga Universiteti i Pitsburgut.
Fokusi politik i Vjosës është në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për sigurimin e një juridiksioni të pavarur. Po ashtu, ajo është e fokusuar edhe në politikën e jashtme, veçanërisht në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Përveç gjuhës amtare, flet edhe anglishten, turqishten, spanjishten dhe serbishten. Ka publikuar libra, artikuj, monografi dhe punime nga fusha e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Komerciale, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë angleze.
18:40 Dështon edhe raundi i dytë
Ka dështuar edhe raundi i dytë i votimit për zgjedhjen e kandidates së LVV-së për Presidente të Kosovës. Në raundin e dytë morën pjesë 82 deputetë, por si në raundin e parë edhe në këtë raund, Vjosa Osmani nuk i ka siguruar votat e nevojshme për postin e Presidentit. Sipas Kushtetutës së Kosovës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
17:55- Vjosa Osmani kalon provën e parë, 81 vota në kuti
Vjosa Osmani ka arritur ta kalojë me suksesin e nevojshëm raundin e parë të votimit për President në Kuvendin e Kosovës. Disa deputetë kanë votuar për zgjedhjen e Osmanit në pozitën e shefes së shtetit, ndërsa më e rëndësishmja për të ka ndodhur, pasi 80 vota kanë qenë në kutinë e votimit.
Kjo është hera e tretë që ky raund votimesh po përsëritet, pas dy herë nuk kishte kuorum prej 80 deputetësh. Osmani nuk është zgjedhur presidente e vendit në raundin e parë pasi deri më tani janë 12 vota të pavlefshme.
Rezultati i raundit të parë
Të pavlefshme: 12 vota
Vjosa Omsani: 69 vota
Nasuf Bejta: Zero Vota