Votohet kabineti “Hoti”. Kurti: Është qeveri koti. Nuk i dorëzoj detyrën atij që shkarkova

Teksa e ka quajtur “qeveria koti” Qeverinë Hoti, ish-kryeministri Albin Kurti ka thënë se s’do ta bëjë pranim-dorëzimin e detyrës, për atë që e ka shkarkuar sa ishte kryeministër në detyrë.

Në një video të publikuar në Facebook, kreu i Vetëvendosjes ka përsëritur se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, për dekretin e presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër, është i papranueshëm.

“Nesër nuk do ta bëjë pranim-dorëzimin sepse nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova. Do të kthehemi përsëri dhe shumë shpejt. Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm. Me atë vendim ata kanë bërë agresion mbi Kushtetutën e Republikës dhe kanë zhvlerësuar veten e tyre si Gjykatë. Kjo qeveri është e paligjshme. Kjo është qeveria koti, ne jemi qeveria alternative. S’do ta bëj pranim-dorëzimin sepse s’mund të pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që edhe u dorëzua te presidenti. Ne vazhdojmë betejën, do të kthehemi përsëri e shumë shpejt”, ka thënë ai ndër tjerash në video.

Ai ka thënë se që nga nesër nuk do të jetë në zyrën e kryeministrit, teksa ka numëruar disa prej vendimeve që ka marrë.

“Sot janë bërë katër muaj që jam zgjedhur kryeministër, kurse nesër nuk do të jem më në këtë zyrë. Katër muaj qeverisje e mirë, 39 mbledhje të mira të Qevrisë, 213 vendime që e kanë shumë më të mirë politikën në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen si dhe bashkëpunëtorët e tij përgjatë kësaj periudhe.

“Që nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kemi dëshmuar se jemi partia e parë dhe më e madhe në vend e në Kuvend, se subjekti kryesor politik në Republikën e Kosovës quhet Lëvizja Vetëvendosje. Kemi dëshmuar se mund të qeverisësh pa marrëveshje me Listën Serbe dhe duke mos u varur prej saj. Kemi dëshmuar se mund të zvogëlohet kabineti qeveritar e të forcohet shteti demokratik”, ka thënë Kurti.

SHKARKO APP