Vrasja e Ivanoviç, Haradinaj: S’pranojmë të përdoret për qëllime politike
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dënuar vrasjen e Ivanoviç, por shton se s’pranon të përdoret për qëllime politike.
”Shfrytëzimi i këtij akti tragjik për qëllime të politikës ditore, madje edhe për të bllokuar proceset që për qëllim kanë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është kundër logjikës dhe frymës së bashkëpunimit”, shkruan Haradinaj në një postim në faqen e tij në Facebook, për vrasjen e liderit të serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviç.
Më tej shton se Kosova mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të sigurt. ”Kosova mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj, si dhe e përcaktuar fuqishëm në rrugën e vet euro-atlantike”.
Statusi i plotë
Vrasja e Oliver Ivanoviqit në rrethana të pasqaruara dhe motive të panjohura, është akt kriminal dhe i dënueshëm!
Shfrytëzimi i këtij akti tragjik për qëllime të politikës ditore, madje edhe për të bllokuar proceset që për qëllim kanë normalizimin e marrëdhenieve ndërmjet dy shteteve, është kundër logjikës dhe frymës së bashkëpunimit!
Kosova mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj, si dhe e përcaktuar fuqishëm në rrugën e vet euro-atlantike.
Institucionet tona do të bëjnë krejt çka është në dorën e tyre që të zbardhet kjo vrasje, dhe në asnjë situatë nuk do ta pranojnë logjikën e kalkulimit të akteve kriminale për qëllime politike nga kushdoqoftë!