
Policia e Kosovës ka pezulluar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës. Më herët, Këshilli Prokurorial i Kosovës pezulloi nga detyra edhe kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, pezullimet janë kryer pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve ka nisur një hetim paraprak për veprimet ose mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit.
Mes zyrtarëve të pezulluar janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor të Pejës, si dhe drejtues të tjerë të strukturave policore.
Togeri i Policisë, Faruk Muqolli, në audi-incizimin e publikuar nga “MAT”, dëgjohet duke i thënë viktimës se nuk do ta pranonte më, si dhe se nuk e kishte obligim të merrej me të. Rasti i Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale lidhur me mënyrën se si ishte trajtuar rasti i saj.
Masat përfshijnë gjithashtu katër hetues policorë të këtij stacioni. Policia e Kosovës bëri të ditur se pezullimet janë ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale në trajtimin e rastit.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pezulluar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, në kuadër të zhvillimeve që lidhen me rastin. Hetimet vijojnë për të sqaruar nëse ka pasur shkelje apo mangësi institucionale në trajtimin e çështjes.
