Vuçiç kërkon të dislokojë 1000 trupa në Kosovë, reagon Albin Kurti: Duan kthimin në kohën e Milosheviçit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se do t’i kërkojë KFOR-it të dislokojë një mijë trupa serbe në Kosovë.
Kurti, me anë të një postimi në faqen zyrtare të tij në “Facebook”, ka thënë se Serbia do që të kthehet në periudhën e Millosheviçit dhe çështja e Kosovës të kthehet në OKB, sa më larg BE-së.
“Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së. Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviçit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri Kurti ka kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-ja dënimin e dhunës së grupeve kriminale në veri.
“Tani që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.
Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”, deklaroi Kurti.