Vuçiç paralajmëron vazhdimin e dialogut me Kosovën në nivel teknik
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar vazhdimin e dialogut në nivel teknik mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), Vuçiç tha se “nuk është i sigurt nëse Prishtina dëshiron të zbatojë diçka nga dialogu, për shkak të arsyeve të brendshme”.
Kosova dhe Serbia zyrtarisht janë të përfshira në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, porse një takim në nivel liderësh, i parashikuar të mbahet në fund të shtatorit, është shtyrë vazhdimisht, nën arsyetimin e “bllokimit nga pandemia”.
Por, pandemia e koronavirusit nuk ka penguar takimin e datës 29 tetor, të shefave të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni dhe Petar Petkoviç në Bruksel, ku kanë diskutuar për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës midis dy vendeve.
Krahas dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia më 4 shtator kanë nënshkruar në Uashington, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, një marrëveshje për normalizim të raporteve ekonomike.
Pas zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA, dhe fitores së kandidatit demokrat, Joe Biden, shumë ekspertë kanë ngritur pyetje lidhur me fatin e kësaj marrëveshjeje.
Por, Vuçiç tha se Serbia respekton këtë marrëveshje pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.
Ai përsëriti se ka “ka raporte personale të mira me Bidenin”, por sipas tij, “do të ishte më mirë për Serbinë nëse mbetet administrata aktuale e SHBA-së”.
Ai njoftoi se nesër do të flasë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Robert O’Brien, dhe se besonte se do të kishte mundësinë të takonte, Joe Bidenin në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.