Vuçiç: S’ka propozim konkret për zgjidhjen e “problemit” me Kosovën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se deri tani nuk ka asnjë propozim për një zgjidhje të përhershme “të problemit të Kosovës”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se do të shkonte te njerëzit kur të kishte diçka për ta ofruar.

“Çfarëdo që bëjmë, duhet të shkojmë në referendum. Çfarëdo që ndryshojmë dhe në çfarëdo mënyre, çfarëdo ndryshim kushtetues që duhet të bëjmë, duhet të shkojmë në një referendum”, tha Vuçiç për mediat në Zemun.

Vuçiç tha se po përpiqet çdo ditë për të fituar diçka më të mirë dhe më shumë se ç’ishte më parë. “Në nivelin ditor, po përpiqemi të mbajmë diçka dhe të kemi diçka nga Kosova, shkruan express.

Gjithkush që më kritikon çdo ditë e di se sa kam të drejtë”, tha Vuçiç dhe u kërkoi kundërshtarëve politikë që të mos e gënjejnë veten, as atë dhe as popullin për zgjidhjen e mundshme për Kosovën.

Ai tha se nuk i bie ndërmend të thërrasë një referendum “nëse nuk ka asgjë më të rëndësishme se ajo që kanë sot”.

“Do të jetë shumë e vështirë rreth Kosovës. Më mirë është të arrihet një marrëveshje sesa mos të arrihet”, tha ai. I pyetur për tërheqjen e serbëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës, për të cilat zyrtarët e Prishtinës pretendojnë të jenë nën presion nga Beogradi, Vuçiç tha se qëndrimi i tij ishte se serbët nuk duhet të marrin pjesë në punën e tyre.

“Ata thonë që ne bëjmë presion. Nëse themi se nuk do të dëshironim që një serb të gjuante një serb, nëse kjo që po them është presion, ju mund ta quani atë siç të doni”, tha ai, duke shtuar se nuk do të ishte normale që një serb të gjuante një serb.

SHKARKO APP