Zëdhënësja e KE-së: Rrëzimi i qeverisë e çon Kosovën në një situatë të vështirë
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, tha se rrëzimi i qeverisë e shpie Kosovën në një situatë të vështirë politike në kohën e përballjes me koronavirusin.
Ajo bëri thirrje që liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi në interesin e popullit.
“Ajo cfarë i duhet Kosovës është stabilitet dhe përpjekje për të luftuar koronavirusin dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Hapat tjerë pas votës së mosbesimit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha ajo.
Kuvendi i Kosovës më 25 mars me shumicë votash miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. Mocioni u paraqit me iniciativën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Shkas për këtë, sipas zyrtarëve të LDK-së, ishin mospajtimet mes partnerëve të koalicionit për shfuqizimin e tarifës ndaj mallrave serbe dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut nga ana e kryeministrit Kurti.
LDK-ja kërkonte shfuqizimin e plotë të tarifës, ndërkaq kryeministri Kurti filloi shfuqizimin gradual të saj, dhe theksonte se do të vendoste masën e reciprocitetit të plotë tregtar dhe politik me Serbinë.
Kurti e shkarkoi nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu nga pozita e ministrit, pasi ai mbështeti propozimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri. /Rel/