Zgjedhjet në 14 shkurt, PDK dhe LDK në rënie
Partitë politikë kanë pasur gjithmonë programe politike të njëjta, por më vonë shumë premtime që janë aty nuk i kanë zbatuar. Këtë do diskutojnë dhe publicistët Bujar Dugolli dhe Nexhmedin Spahiu në “Balkan Talks”.
“Qeveria e Kurtit filloi shumë mirë dhe përmbushën pritshmërinë e qytetarëve, po ishte kohë e shkurtër për vlerësime të tjera dhe fillimi u vlerësua nga të gjithë edhe ndërkombëtarët. Ajo që ndodhi më pas shkaktoi humbje besimi nga qytetarët dhe ndërkombëtarët”,-shprehet Dugolli. Edhe Nexhmedin Spahiu është i të njëjtit mendim se Kurti tregoi që ai nuk korruptohet.
”Albin Kurti ka qenë konsistent në premtimet e tij edhe pse 50 ditë s’ka pasur kohë ti vendos në jetë premtimet e tij. Ai nuk është i prirur nga korrupsioni dhe u pa gjatë 50 ditëve”,-thotë profesor Spahiu. Në këtë fushatë nga sondazhet është vënë re një rënie e mbështetjes të dy forcave PDK dhe LDK-së. Publicistët tregojnë arsyet pse ka ndodhur kjo rënie.
”Po nuk flitet që do dalin në vendin e parë PDK dhe LDK, pasi sipas sondazheve kanë rënie, e cila vjen nga fakti se elektorati i tyre i ka kundërshtuar dhe kanë bërë fushatë kundër njëra-tjetrës të dyja. Ndodhi që partitë gjetën bashkëpunim, por jo elektorati dhe ka çuar te rënia e tyre dhe rritja e Vetëvendosjes. Unë mendoj se rezultati do jetë Vetëvendosja e para, PDK, LDK dhe AAK. Diferenca do jetë e madhe mes Vetëvendosjes dhe partive të tjera”,-rrëfen Dugolli.