Zgjedhjet në Kosovë, nis sot numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ditën e sotme do të nis numërimin e mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora. Konkretisht do të numërohen fletëvotimet nga votimi përmes postës, të cilat janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi u shpreh se numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë, ndërsa shtoi se ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare. Ndaj për këtë arsyeje, ende nuk dihet se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Sipas tij, deri më tani, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime, nga dy kutitë postare në Berlin dhe Bernë.
“Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”, tha Elezi.
KOHA JONË SONDAZH

