Zyrtarët e Kosovës në Hagë, Andoni: Lufta e UÇK-së nuk preket
Analisti Ben Andoni, thotë se është i shqetësuar për faktin sesa forcë do të kenë Krasniqi, Thaçi dhe zyrtarët e tjerë të Kosovës për t’i përballur teknikisht akuzat.
“Presioni shumë i madh për ta ngritur gjykatën ka shkuar në përpjesëtim të zhdrejtë me përgatitjen e Kosovës, që ka ndihmuar vetë që të bëhet kjo gjykatë. Thaçi dhe Veseli i kanë bërë presion njerëzve të tyre që ta votonin këtë institucion. Nga të katër zyrtarët e parë të lartë, Krasniqi është njeriu më i larguar nga akuzat, pasi funksioni i tij ka qenë zëdhënës. Duhet të jemi të bashkuar në këtë moment dhe retorika përçarëse në Shqipëri është e frikshme. Lufta e UÇK-së nuk preket, sido që të jetë fati i këtyre 4 individëve. Në këto momente, këta njerëz kanë nevojë për qetësi dhe këshilla. Zoti Krasniqi më duket pak i papërgatitur për situatën. Mendoj se pozicioni i tij është larg akuzave që janë ngritur kundër tij”, tha Andoni në ”A2cnn”.
Nga ana tjetër, Andoni nënvizoi se pastërtia e luftës së UÇK-së është vijë e kuqe për të gjithë shqiptarët, pastërtia e asaj lufte është patërtia e njerëzve të thjeshtë.
”Ata ishin të gjithë idealistë dhe ajo ishte luftë e pastër. Në gjithë këtë kohë, Thaçi kishte të gjitha mundësitë të pastronte veten e vet dhe të përgatitej. Atë që i thuhej shpesh “Ti do të jesh në Hagë”, nuk mund ta negocionte në kurriz të Kosovës. Sado që Thaçi e ka mohuar ndryshimin e territoreve, vetë Bolton ka thënë se ideja për këtë ndryshim ka qenë e ditur prej tij. Është e lehtë që t’u tregosh njerëzve pastërtinë e luftës dhe nga ana tjetër të kërkosh mbrojtje për pozicionin tënd. Më besoni, i vetmi njeri që nuk e dinte, ishte zoti Krasniqi. Në sallën e gjyqit, ai foli si mësues dhe edukator. Krasniqi është prekur te vlerat morale bazë të individit shqiptar. Sot, gjendet në një institucion ku kanë qenë kriminelët më të mëdhenj serbë. Ai nuk e pranon dot në mendjen e tij se si një individ si ai të jetë në të njëjtën bankë të akuzuarish”,-tha më tej.