Zyrtari i përgjuar i PDK-së jep dorëheqjen pas protestave

Adem Grabovci, kryetari i grupit parlamentar të partisë qeverisëse të Kosovës, dha dorëheqjen të martën pas një serie protestash anti-korrupsion në Prishtinë.

Nga Die Morina, BIRN

Dorëheqja e Grabovcit erdhi pas publikimit të bisedave të përgjuara telefonike që ai kishte pasur me zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, PDK, në qeveri, të cilat dyshohet se tregojnë shtrirjen e padrejtë të ndikimit partiak në sektore publike.

Grabovci konfirmoi dorëheqjen e tij në një letër të dërguar medias lokale të martën.

“Për të ruajtur moralin tim dhe përgjegjësinë politike në çështje të tilla, si dhe mundësinë për një trajtim të duhur ligjor të kësaj çështjeje, ofroj dorëheqjen time si shef i grupit parlamentar të PDK,” tha ai.

Dorëheqja e tij u publikua ndërsa dhjetëra aktivistë të shoqërisë civile protestuan kundër politikanëve që shfaqeshin në përgjime, në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë.

Gjashtë biseda telefonike të përgjuara mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Grabovcit u bënë publike më 1 gusht nga Insajderi.com dhe sugjerojnë se dy burrat rregullonin favore për punë të sektorit publik dhe binin dakord për ushtrim të presionit te deputetët që të miratonin dy ligje.

Gazeta online me bazë në Prishtinë, Insajderi.com paralajmëroi se do të publikojë përgjime të tjera në ditët në vijim.

Aktivisti nga Prishtina Yll Rugova e quajti dorëheqjen e Grabovcit “as diçka simbolike”, ndërsa analisti i pavarur Imer Mushkolaj, një organizator i protestës, i tha BIRN se ai mendon se dorëheqja nuk mjafton.

“Dorëheqja e tij si shef i grupit parlamentar nuk ka të bëjë asgjë me këtë. Të gjithë zyrtarët e përfshirë në bisedat e përgjuara duhet të futen në burg, sepse sipas meje ata kanë kryer një krim,” tha Mushkolaj.

Njerëzit kanë dalë në protesta në rrugët e Prishtinës që nga publikimi i përgjimeve në fillim të gushtit.

Tubimi i të martës në mbrëmje ishte i katërti i organizuar këtë muaj dhe aktivistët e shoqërisë civile paralajmëruan se nuk do të ndalojnë derisa të gjithë ata që kanë përfituar nga favoret e Grabovcit, të japin dorëheqjen.

SHKARKO APP