Zyrtarja e lartë e IFC për Shqipërinë dhe Kosovën ironizon Greqinë
Në një takim tepër të përzemërt të Bankës Botërore (BB) me Shoqatën e Bankave të Kosovës, bankierëve iu shpërndanë certifikata mirënjohjeje nga BB për përkushtimin e tyre në edukimin e klientëve.
Programi i përbashkët ndërmjet Bankës Botërore dhe bankave të nivelit të dytë në Kosovë synon të ndihmojë në rritjen e aftësive dhe njohurive të klientëve ekzistues dhe klientëve potencialë, sidomos atyre të marghinalizuar dhe që nuk kanë shumë qasje në informata financiare.
Duke vlerësuar pozitivisht ecurinë e këtij programi, Elira Sakiqi, menaxhere dhe zyrtare e lartë e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për Shqipërinë dhe Kosovën, pjesë e grupit të Bankës Botërore, nuk i rezistoi tundimit të përmendjes së Greqisë në optikën e edukimit financiar.
“Për të bërë ironi jo të këndshme në situata të tilla financiare në botë dhe aktualisht në vendin fqinj në Greqi, ndoshta do t’ju bënte mirë edhe atyre t’u jepnim pak edukim financiar”, tha Sakiqi.
Batuta e zyrtares shqiptare të IFC-së vjen në një kohë kur e ardhmja e ekonomisë greke (dhe me gjasa) edhe e eurozonës varet nga arritja e një marrëveshjeje ndërmjet Greqisë dhe kreditorëve të saj.
Borxhi kombëtar në rritje i Greqisë, i cili sot kap shifrën e rreth 330 miliardë eurove, përfaqëson një problem të madh për vendin dhe kreditorët e tij europianë, ndër të cilët spikat Gjermania.
Greqia nuk ka asnjë qindarkë në arkat e saj për të paguar, dhe ditët e fundit humbi edhe këstin e pagesës prej 1.8 miliardë eurosh ndaj FMN-së (situata e thjeshtëzuar e krizës greke).
Ndërkaq, IFC është pjesë e Grupit të Bankës Botërore, e cila në radhën e vet është motër me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), si dy organizatat përbërëse të sistemit të menaxhimit monetar Bretton Woods, i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Në analizën e saj të fundit për Greqinë, FMN pranoi se borxhi grek ishte i “paqëndrueshëm”, dhe se vendit i duhej ristrukturim i këtij borxhi dhe një periudhë prej 20 vjetësh që të mund ta shlyente atë.
Ashtu si në marrëdhëniet tipike bankë-klient, përgjegjësia e një huaje të madhe dhe katastrofike nuk i takon vetëm klientit.
Nëse Greqia si huamarrëse përgjatë historisë së saj të dekadave të fundit ka nxjerrë në pah probleme të mëdha në menaxhimin e financave publike, edhe kreditorët e saj nuk kanë mbetur pas në dështimin për të identifikuar të njëjtat probleme.
Për vite të tëra, vendi mesdhetar arriti që të falsifikonte me sukses bilancet e tij, të cilat në të gjitha rastet u shpëtuan shqyrtimit të kreditorëve të saj nga Bashkimi Europian, si dhe vetë sistemit kontrollues të Brukselit.
Për më tepër, helenët në një lëvizje tepër simbolike bashkëpunuan me Goldman Sachs, kur disa vite para shpërthimit të krizës që më vonë u pagëzua si “tragjedia greke”, falsifikuan në bashkëpunim deklaratat financiare për Brukselin.
Që në vitin 2003, BBC hulumtoi për aventurën greke me Goldman Sachs për të fshehur pak miliardë euro nga sytë e financierëve të Brukselit. Sot Greqia ka shumë miliardë euro për të paguar (hulumtim nga BBC).
Në atë kohë Goldman nuk ishte edhe aq i famshëm, por u bë gjysmë dekade më vonë për rolin e tij aktiv në krizën financiare botërore në fund të viteve 2000 (dokumentet origjinale të Senatit të SHBA për çështjen në fjalë).
Grupi Goldman Sachs është një firmë bankare amerikane që operon në bankingun ndërkombëtar të investimeve, sigurime financiare, menaxhim investimesh dhe shërbime të tjera financiare, kryesisht me klientë institucionalë (siç janë vetë bankat dhe qeveritë).
Ndërkaq, Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) është një institucion financiar që ofron investime, këshillim dhe menaxhim asetesh për të inkurajuar zhvillimin e sektorit privat në vendet në zhvillim.
Ndonëse Greqia nuk ka qenë vend në zhvillim, angazhimi i IFC-së në këtë vend shkon pas me më shumë se një dekadë; domethënë që para krizës.
Deri në dhjetor të vitit 2014, totali i portofolit të IFC-së për Greqinë llogaritet në 554 milionë dollarë (503 milionë euro), ku gati gjysma e të cilit ka shkuar për sektorin financiar, me fjalë të tjera për bankat greke dhe/apo institucione të lidhura me to.
Këto të fundit patën një rol vendimtar në materializimin e krizës në Greqi, duke lëshuar kredi në mënyrë të shfrenuar, të paktën gjatë dekadës së fundit.
Përfaqësuesja e IFC-së, megjithatë, bëri shakataren për edukimin financiar të Greqisë në një aktivitet kushtuar edukimit të klientëve të bankave, tek qëndronte në krah të bankierëve të Kosovës.
Ndërsa këta të fundit morën certifikata mirënjohjeje, nuk dihet edhe nëse Goldman Sachs e ka marrë një të tillë.
Kjo e fundit, në mars të vitit 2014, nisi një program partneriteti me Bankën Botërore për fuqizimin grave sipërmarrëse, me vlerë 600 milionë dollarë (545 milionë euro).
Marrë nga Gazeta Jeta në Kosovë