Arrestohet në Napoli një nga 100 të kërkuarit më të rrezikshëm të Italisë, anëtar i Kamorrës
Policia italiane në Napoli ka vënë në pranga Ciro Andolfin, 49 vjeç, i cili ishte në kërkim prej vitit 2022. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti për të vuajtur një dënim të mbetur prej 8 vitesh, 3 muajsh e 10 ditësh burg. Andolfi akuzohet për përfshirje në organizatë kriminale të tipit mafioz, zhvatje në bashkëpunim e rënduar nga metoda mafioze, si dhe korrupsion.
Ai ishte pjesë e listës së 100 personave më të rrezikshëm të kërkuar nga Ministria e Brendshme italiane. Operacioni për kapjen e tij u realizua në lagjen Barra të Napolit, ku i dyshuari u zbulua i fshehur në një bunker, i cili ishte ndërtuar brenda një apartamenti që po kontrollohej nga autoritetet. Hetuesit e konsiderojnë Andolfin si anëtar të klanit të Kamorrës.
Arrestimi u krye në zbatim të një vendimi të lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit të Napolit. Karabinierët theksuan se ky është arrestimi i 22-të i një të arratisuri të rrezikshëm i kryer gjatë një viti.
KOHA JONË SONDAZH

