Barinjtë nuk evakuohen, po qëndrojnë me lopët në zonën e përmbytur
Autoritetet kanë arritur të lokalizojnë me sukses dy barinjtë që ishin shpallur të humbur prej disa orësh në zonën e Libofshës, në qarkun e Fierit. Ndonëse kontaktimi i tyre është bërë i mundur, situata mbetet e ndërlikuar pasi barinjtë refuzojnë të largohen nga zona e rrezikut.
Dy barinjtë ndodhen aktualisht në zonën e përmbytur të Kularit, ku po qëndrojnë së bashku me rreth 200 krerë lopësh. Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë izoluar zonën, duke e bërë të vështirë qasjen nga toka dhe duke rritur rrezikun për jetën e njerëzve dhe bagëtive. Brinjtë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pësuar lëndime.
Ata kanë refuzuar kategorikisht evakuimin, duke argumentuar se duhet të qëndrojnë për të mbajtur nën kontroll tufën e lopëve, të cilat janë të shpërndara dhe të lira në zonën e përmbytur. Sipas tyre, largimi do të sillte humbje të mëdha ekonomike, pasi bagëtitë rrezikojnë të humbasin ose të mbyten nga uji. Nuk është hera e parë që këta barinj përballen me një situatë të tillë. Sipas informacioneve, edhe gjatë përmbytjeve të vitit të kaluar ata kishin refuzuar të largoheshin nga zona, duke qëndruar pranë bagëtive deri në normalizimin e situatës.
Kjo ka ngritur shqetësime tek autoritetet lokale dhe shërbimet e emergjencës, të cilat theksojnë se kushtet aktuale janë të rrezikshme dhe se çdo përkeqësim i motit mund ta bëjë ndërhyrjen edhe më të vështirë. Strukturat e emergjencave civile mbeten në gatishmëri, duke monitoruar situatën nga ajri dhe toka, në pritje të një vendimi nga barinjtë ose të përmirësimit të kushteve atmosferike.
KOHA JONË SONDAZH
Si ishte viti 2025 për ju?
Results
Vota totale: 26103

