Beteja për 14 majin, nis përballja e parë mes dy grupeve të PD-së në KQZ

Përçarja e PD-së, do të ”përplasë” dy grupet për zgjedhjet lokale të 14 majit. 29 janari është afati i fundit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për partitë që të dorëzojnë propozimet për komisionerët e ZAZ-ve.

Në bazë të vendimmarrjeve të mëparshme, por edhe përfaqësuesit ligjor që njihet në KQZ, e drejta për të çuar emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, i takon Partisë Demokratike që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj.

Edhe pse komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi është shprehur i qartë se do të njohë si PD vetëm atë që njeh gjykata dhe rezulton e regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Partive, Partia Demokratike e Sali Berishës nuk do të dorëzohet lehtë.

Mësohet se gjatë kësaj jave, pritet që propozime për anëtarë të KZAZ-ve do të dorëzojë të dyja grupimet si ata që drejtohen nga Berisha, por edhe ata që drejtohen Alibeaj.

Kjo pritet të jetë vetëm përballja e parë, pasi deri më 6 mars kur është afati i fundit për regjistrimin e partive dhe koalicioneve për zgjedhjet e 14 majit, do të ketë sërish përplasje juridike në Gjykata dhe KQZ mes dy grupimeve në Partinë Demokratike.

SHKARKO APP