Dhunohet 20-vjeçari, tre të rinj i marrin edhe 2 mijë euro
Një 20-vjeçar është dhunuar dhe i janë marrë 2 mijë euro. Policia e Elbasanit, qytet edhe ku ka ndodhur ngjarja, thotë se autorë janë tre të rinj. “D.R, 23 vjeç, E.B (S), 25 vjeç dhe F.Ç, 26 vjeç, të tre banues në Elbasan. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar dhe kanosur me jetë shtetasin A.A, 20 vjeç, banues në Belsh dhe i kanë marrë atij shumën 2000 euro, pasi ai kishte postuar në rrjetin social instagram, automjetin e shtetasit D.R”.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
I morën me anë të kanosjes dhe dhunës, një shumë parash, një shtetasi, vihen në pranga 3 autorët e dyshuar. Në banesën e njërit prej tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi dhjetëra doza me kanabis, 2 peshore elektronike, 1 radio marrëse-dhënëse dhe 2 automjete.
Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit se 3 shtetas kishin kanosur dhe dhunuar një shtetas dhe i kishin marrë atij, një shumë parash, kanë organizuar punën për kapjen e autorëve.
Në kuadër të operacionit “Postimi”, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
D. R., 23 vjeç, E. B.(S), 25 vjeç dhe F. Ç., 26 vjeç, të tre banues në Elbasan. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar dhe kanosur me jetë shtetasin A. A., 20 vjeç, banues në Belsh dhe i kanë marrë atij shumën 2000 euro, pasi ai kishte postuar në rrjetin social instagram, automjetin e shtetasit D. R.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. R., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 74 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 2 peshore elektronike, 1 radio marrëse-dhënëse dhe 2 automjete. Në vijim të veprimeve janë referuar materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit: A. K., 43 vjeç, A. H., 51 vjeç, A. B., 29 vjeç, të tre banues në Elbasan, pasi kanë patur dijeni për ngjarjen dhe nuk kanë kallëzuar në Polici. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.