Dosja “McGonigal”, Paloka: Rama është këshilluar të mos flasë. U zhduk për 5 ditë dhe nuk erdhi në Kuvend

Kreu i këshillit Kombëtar të PD-së, deputeti Edi Paloka flet mbi skandalin e ish-zyrtarit të FBI-së McGonigal dhe implikimin e kryeministrit Rama në këtë histori. Për të SPAK-u duhet të veprojë, duke u shprehur se Rama është direkt i përfshirë në korrupsion aktiv. Sipas Palokës, duket se një këshilltar apo avokat e ka këshilluar Ramën që të mos flasë, pasi mund të inkriminohet më shumë.

“Dosjen se ka përgatitur PD, dosja dhe aktakuza janë përgatitur që nga viti 2017 nga FBI. Ka dy aktakuza të paraqitura në dy shtete të SHBA për ish-zyrtarin e FBI-së. Në një nga çështjet është kapur në korrupsion direkt nga kryeministri i Shqipërisë ndaj një zyrtari të FBI, me qëllim që ai të përdoret kundër opozitës shqiptare. Kjo mjafton për të ndikuar në drejtësinë shqiptare, te SPAK-u, që minimalisht duhet të thërrasë kryeministrin Rama, gjë që s’po ndodh.

Çështja vërtet është në drejtësinë amerikane, por Edi Rama është direkt i përfshirë dhe i akuzuar për korrupsion aktiv ndaj zyrtarit të FBI-së. Çështja para drejtësisë amerikane është me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së. Emri i Edi Ramës del në çdo moment. Edi Rama deri tani ka mbyllur gojën. Duhet të veprojë SPAK-u. Rama ka imunitet diplomatik. Në një proces normal do t’i duhet të shkojë dhe të dëshmojë në procesin ndaj McGonigal. Ne kemi çështjen tonë. Mediat më të rëndësishme botërore janë mbushur me tituj, ku kryeministri i Shqipërisë hapur citohet si njeriu që ka korruptuar zyrtarin e FBI. Kjo çështje s’po merr përgjigje në Shqipëri.

Rama e ka mbyllur gojën, si duket një avokat apo këshilltar i tij e ka këshilluar të mos reagojë, sepse mund të inkriminohet më shumë. Një reagim ishte idiot, duke justifikuar paratë që Neza i ka dhënë zyrtarit amerikan, duke thënë që janë para borxh. Kaq mjafton për të kuptuar që Rama është i implikuar.

Fakti që Rama u zhduk me ditë të tëra, që nuk erdhi në Parlament dhe të sqaronte akuzat, që për 5 ditë u zhduk, kjo nuk zgjidh asgjë as për Ramën as për shqiptarët. Rama duhet të japë përgjigje para drejtësisë. Me paturpësi ka marrë pjesë në një akt tjetër korrupsioni siç është ai i Portit të Durrësit. E keni parë edhe fytyrën edhe si ngrinte papritur pamja e kryeministrit, me duar të mbledhura për minuta. Por mos i hyjmë analizës psikologjike”.

SHKARKO APP