Goditi Berishën, hesht Gert Shehu. Hapet dosja me dy akuza

31-vjeçari Gert Shehu, është i riu që goditi me grusht në fytyrë kreun e PD-së Sali Berisha, gjatë rrugës për në protestën e djeshme të opozitës. Ai është arrestuar nga policia në Spitalin e Traumës, dhe ndaj tij rëndojnë dy akuza. Plagosje e lehtë me dashje dhe plagosje për shkak të detyrës.

Është bërë edhe marrja e deklarimeve të personave prezentë në ngjarje. Grupi i hetimit ka marrë edhe pamjet nga kamerat e mediave të pranishme, ndërsa pjesë e hetimit janë bërë gjithashtu lëvizjet e mëparshme të 31-vjeçarit dhe personat që ka kontaktuar më herët agresori.

31-vjeçari nuk ka pranuar të thotë asnjë fjalë për sulmin e kryer. Ai shihet me pranga në duar dhe i ënjtur, teksa firmos. Në ditët në vijim, pritet që Shehu të paraqitet para gjykatës për masën e sigurisë derisa të zbardhet plotësisht incidenti.

Pse e goditi i riu Berishën? Është skenar, sulm apo incident momental? Sali Berisha insiston se dokumenti ku vërtetohej se Gert Shehu është me probleme të shëndetit mendor, për të është e fabrikuar nga qeveria.

Sipas Berishës, i riu është shtyrë nga Edi Rama, Bledi Çuçi dhe Ardi Veliu për të kryer sulmin ndaj tij. Përmes një statusi në Facebook, mjeku Sadik Lala, thotë se ia ka lëshuar ai dokumentin për Gert Shehun dhe ai është autentik.

Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo akuzon policinë se po falsifikon dokumente në mënyrë që të lehtësojë nga përgjegjësitë penale agresorin e Berishës, që për ta është informator i policisë. Edhe Partia e Lirisë bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama duke e cilësuar si një sulm politik. Petrit Vasili i ka bërë thirrje drejtësisë të veprojë sa më shpejt si dhe të qëndrojë larg urdhave të kryeministrit.

SHKARKO APP