I dënuar për dhunë në familje, ndërron jetë 50-vjeçari në burgun e Lezhës
Një 50-vjeçar, i cili po vuante dënimin në burgun e Lezhës është gjetur në krevat i shtrirë dhe pa shenja jete.
Mësohet se bëhet fjalë për shtetasin Sotir Shabani nga Ballëshi, i cili ndodhej në këtë institucion të vuajtjes së dënimit që prej 27 nëntorit 2021 pasi ishte dënuar për dhunë në familje.
Njoftimi:
Në IEVP Lezhë, gjatë ndërrimit të shërbimit nga punonjësi i rolit bazë është konstatuar se i dënuari me mjekim të detyruar Sotir Shabani, i shtrirë në krevat, nuk po reagonte.
Menjëherë është njoftuar mjeku i turnit, i cili, pas verifikimit, ka konstatuar se pacienti kishte ndërruar jetë.
I ndjeri Sotir Shabani, i datëlindjes 21.12.1975, lindur dhe banues në Ballsh, Mallakastër, ishte akomoduar në institucion më datë 27.11.2021, për veprën penale “Dhunë në familje”, me masë mjekimi të detyruar.
Është hartuar dokumentacioni përkatës dhe janë njoftuar drejtuesit e institucionit, specialisti i SHKBB-së, Komisariati i Policisë Lezhë, si dhe Prokurori i gatshëm, për vijimin e procedurave ligjore.
Institucioni po bashkëpunon me autoritetet kompetente për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
KOHA JONË SONDAZH

