Kapri: Prokurorët e SPAK-ut po kërcënohen
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri thotë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po kërcënohet nga politika. Kapri theksoi se Partia Mundësia qëndron në mbështetje të SPAK-ut, teksa i bëri thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që të reagojnë.
“Janë kërcënuar prokurorët e SPAK-ut. Altin Dumani vetë tha para dy ditësh se presioni është i përditshëm, kërcënimet ndaj prokurorëve kanë shkuar deri në rrezik për atentate. “E gjithë kjo është shoqëruar me censurë dhe heshtje të orkestruar. Ne dënojmë me forcë sulmet ndaj SPAK-ut dhe i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ngrejë zërin pa vonesa”, tha Kapri.
Sipas Kaprit, ka nisur hapur lufta e të korruptuarve kundër SPAK-ut. “Këta janë njerëzit që duan të mbysin drejtësinë, që duan t’i shpëtojnë dënimit dhe të vazhdojnë të vjedhin shqiptarët. Ne, Partia Mundësia, jemi dhe do të jemi në krah të drejtësisë. Nuk do të dorëzohemi. Kjo është beteja më e rëndësishme e Shqipërisë sot: beteja mes të ndershmëve dhe të korruptuarve”, u shpreh ai.
“Unë besoj se shqiptarët e ndershëm nuk do të heshtin, e në fund, fiton e drejta. I bëjmë thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë: mos mbyllni sytë. Shikoni çfarë po ndodh në Shqipëri, një pushtet që po përpiqet të shkatërrojë drejtësinë për të shpëtuar veten”, përfundoi deputeti Kapri.
KOHA JONË SONDAZH

