Këshilli Bashkiak i Elbasanit nderon pas vdekjes gazetarin Aristir Lumezi me titullin “Qytetar Nderi”
Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka nderuar pas vdekjes gazetarin dhe kryeredaktorin Aristir Lumezi me titullin “Qytetar Nderi”. Mirënjohja iu dorëzua djalit të tij, duke simbolizuar trashëgiminë e rëndësishme që ai la pas në fushën e gazetarisë dhe edukimin e brezave të rinj.
Aristir Lumezi, me një karrierë prej dy dekadash, dha një kontribut të vyer në median e shkruar dhe atë vizive shqiptare. Ai ka shërbyer si gazetar i politikës dhe ka mbajtur postin e kryeredaktorit të gazetës Panorama, duke udhëhequr me profesionalizëm dhe etikë.
Në motivacionin e titullit theksohet:
“Për kontributin e çmuar në gazetarinë shqiptare si gazetar, pedagog dhe kryeredaktor, duke formuar breza të rinj profesionistësh dhe duke udhëhequr me profesionalizëm dhe etikë, për avancimin e gazetarisë dhe informimin e saktë të publikut.”
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, u shpreh se figura të tilla janë shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe përkushtim ndaj profesionit dhe komunitetit.

KOHA JONË SONDAZH

