Kirurgët e Traumës realizojnë me sukses ndërhyrje miniinvazive
Në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), mjekët kirurgë realizuan me sukses një ndërhyrje miniinvazive për trajtimin e një frakture të qafës së femurit me cist unikameral te një pacient 13-vjeçar.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërhyrja u krye me teknikë miniinvazive, duke përdorur aparaturën e avancuar C-ARM për kontroll të vazhdueshëm intraoperativ. Kjo metodë siguroi saktësi maksimale gjatë operacionit, duke ruajtur vaskularizimin dhe zonën e rritjes së kockës — faktorë kyç për një shërim të shpejtë dhe të sigurt.
Falë përvojës së ekipit mjekësor dhe përdorimit të teknikave bashkëkohore kirurgjikale në trajtimin e patologjive te fëmijët, u arrit stabilitet i menjëhershëm kockor dhe një rezultat i suksesshëm për pacientin.
Ministria e Shëndetësisë ka vijuar investimet për rinovimin dhe fuqizimin e strukturave shëndetësore, duke pajisur SUT me teknologji të lartë. Këto investime kanë mundësuar zgjerimin e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve të reja dhe përmirësimin e kushteve për stafet mjekësore dhe pacientët.
KOHA JONË SONDAZH

