Lamallari përgëzon operacionin “Fury”: Arrestohen në Durrës dy persona në kërkim ndërkombëtar për vrasje
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka përgëzuar Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit dhe partnerët amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) për finalizimin me sukses të operacionit ndërkombëtar të koduar “Fury”, që çoi në arrestimin e dy personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në Durrës.
Përmes një reagimi publik, Lamallari theksoi se bashkëpunimi mes agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit është arma më e fortë në luftën kundër krimit.
“Krimi është më i dobët përballë një fronti të përbashkët të agjencive brenda dhe jashtë vendit dhe qytetarëve që distancohen dhe raportojnë çdo paligjshmëri apo person të rrezikshëm që përpiqet të përfitojë në kurriz të tyre dhe shtetit të së drejtës”, u shpreh ministri.
Operacioni “Fury” u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe partnerët amerikanë të DSS-së.
Si rezultat i këtij aksioni u arrestuan dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut: M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji.
Sipas Policisë së Shtetit, ndaj tyre Interpol kishte lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, si edhe kryerje të veprave penale në kuadër të një organizate kriminale.
Autoritetet bëjnë me dije se procedurat për ekstradimin e dy të arrestuarve drejt Maqedonisë së Veriut pritet të vijojnë në bashkëpunim me strukturat përkatëse ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

