Lindja tragjike, ende mister shkaku i vdekjes së 30-vjeçares
Vetëm 4 ditë e mbajti në krah djalin që e solli në jetë, me një lindje natyrale, por që u kthye në tragjedi. 30-vjeçarja që ndërroi jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” pas lindjes, mësohet se ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka qëndruar në spital për 24 orë.
Më pas ka dalë me dëshirën e saj. Materniteti “Koço Gliozheni” teksa i shpreh familjes ngushëllimet për këtë humbje, thotë se viktima nuk kishte shfaqur asnjë patologji shqetësuese gjatë shtrimit në spital dhe se lindja ishte e shëndetshme dhe natyrale.
“SUOGJ “Koco Gliozheni” i shpreh ngushëllimet familjarëve të së ndjerës me inicialet M.V, e cila ka ndërruar jetë disa ditë pas lindjes së foshnjës. 30-vjeçarja është shtruar në spitalin tonë më datë 28 janar dhe nuk ka referuar asnjë patologji shoqëruese. Lindja natyrale ka shkuar mirë, duke sjellë në jetë një djalë të shëndetshëm. Pas 48 orësh qëndrimi në spital, ku ka marrë shërbimin e nevojshëm, nëna ka dalë nga spitali me dëshirën e saj, në gjendje shëndetësore të stabilizuar. Disa ditë pas lindjes nëna e re është paraqitur në spital me dobësi trupore dhe menjëherë, pacientja është shtruar në repartin e terapisë intensive, ku është trajtuar komfom të gjitha protokolleve mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, gjendja e pacientes është rënduar në mënyrë të shpejtë, duke ndërruar jetë. Priten rezultatet e Mjekësisë Ligjore për të mësuar shkakun e humbjes së jetës së pacientes”,-thuhet në reagim.
Familja e së ndjerës, thotë se e reja nuk vuante nga asnjë problem shëndetësor, ndërsa ata akuzojnë stafin e maternitetit ”Koço Gliozheni” se nuk i kanë dhënë shërbimin e mjaftueshëm. Sipas tyre viktima ka pasur dhimbje brinjësh dhe këmbësh, ndërkohë që lindja e saj kishe shkuar shumë mirë, si edhe 9 muajt e shtatzënisë.