Mandati i Xhaçkës, analistët: Do të përshkallëzohet konflikti në PD
”Mazhoranca ka pasur ndikim në vendimmarrjen e Kuvendit, por jo në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese sa i përket dy kërkesave të PD-së në lidhje me mandatin e ministres së jashtme Olta Xhaçka”,-tha juristi Ledio Braho, ku për të vendimi i djeshëm i Kushtetueses ishte e vetmja alternativë. Kurse politologu Ilir Kalemaj, të dyja palët në PD po mundohen ta kapitalizojnë politikisht këtë vendimmarrje të Kushtetueses. Sipas tij është një përplasje politike që përshkallëzon konfliktin në PD dhe nuk i shërben opozitës.
“Retorikë politike të dyja palët po mundohen ta kapitalizojnë politikisht në raport me njëra-tjetrën sesa me mazhorancën, krahas betejës ligjore për vulën e partisë kush fiton nga palët. Shihet si kapitalizëm politik sesa i shërben opozitës dhe interesit politik. Kemi përplasje retorike që e përshkallëzon konfliktin në grupin parlamentar, konflikt që nuk është kaq i përshkallëzuar në bazë. për një çështje të tille nuk kishim pse të vinim me dy çështje të ndryshme në kushtetuese. Këshilli i Mandateve do ta shqyrtojë dhe çojë në kushtetuese”,-tha në ”A2cnn”.
Të njëjtin mendim ndau edhe analisti Aleksandër Çipa, sipas të cilit secili prej grupeve kërkon që të identifikohet dhe kapitalizojë çështjet që shkaktojnë ndjeshmëri tek elektorati.
“Irracionaliteti ndaj çështjes e bën atë evident dhe jo proces funksional. Anëtarësia dhe masa e gjerë janë në një shqyrtim duke i kritikuar palët pse operojnë në mënyrë të ndarë. Druaj se në ecurinë e mëtejshme të këtij procesi aq më tepër që do të duhet një kohë e gjatë minimalisht 6 muaj, në gjykimin tim kjo do të dojë më shumë se një vit kohë. Do të kemi një sherrnajë tradicionale midis palës që ngre një pretendim dhe akuzë dhe palës tjetër që është në pozitën e të akuzuarës por kërkon argumente e justifikime. Do të kemi një përplasje të njohur”.