Ndjekje si në filma në Umbria, arrestohet 35-vjeçari shqiptar pas arratisjes me makinë
Një 35-vjeçar shqiptar është vënë në pranga në Itali, pas një ndjekjeje të rrezikshme në rrugët e zonës së Tiberit të Sipërm, duke u akuzuar për rezistencë ndaj një oficeri publik dhe tentativë arratisjeje.
Operacioni u zhvillua nga efektivët e Njësisë Operative të Città di Castello, ndërsa ngjarja ndodhi në zonën Pian d’Assino, në territorin e Umbertide, në rajonin Umbria.
Sipas autoriteteve, karabinierët i kishin bërë shenjë ndalimi një automjeti, por drejtuesi nuk iu bind urdhrit. Përkundrazi, ai shtoi shpejtësinë, duke u larguar dhe duke detyruar policinë të vihej në ndjekje të tij.
Gjatë tentativës për t’u larguar, 35-vjeçari rrezikoi seriozisht sigurinë e përdoruesve të tjerë të rrugës. Ndjekja përfundoi kur ai humbi kontrollin mbi automjetin dhe doli nga rruga, fatmirësisht pa përfshirë mjete të tjera në aksident.
Pas ndalimit, bazuar në provat e mbledhura në vendngjarje, efektivët e karabinierëve e arrestuan në flagrancë. Mediat italiane raportojnë se i dyshuari është vendosur në paraburgim.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ai nuk ishte person në kërkim dhe nuk mbante me vete sende të kundërligjshme. Ndërkohë, motivet e arratisjes mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet vijojnë për të hedhur dritë mbi rrethanat dhe aktivitetin e tij.
KOHA JONË SONDAZH

