Përplasi çiftin në Jalë me gomone, në pranga 37-vjeçari
Këtë të dielë, policia ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit lundrues Gjergji Priftuli, pasi të shtunën humbi kontrollin dhe gomonia plagosi dy pushues. 37-vjeçari po kryente manovra të rrezikshme disa qindra metra larg bregut dhe më pas ai u rrëzua në ujë.
Në këto momente gomonia u nis me shpejtësi dhe përplasi çiftin e të rinjve në breg të detit. Djali ka pësuar dëmtime në brinjë dhe në fytyrë ndërsa vajza është lënduar në disa pjesë të trupit.
“Humbi kontrollin e mjetit lundrues dhe për pasojë dëmtoi dy pushues që ishin në breg të detit, vihet në pranga 37-vjeçari. Sekuestrohet mjeti lundrues tip gomone. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të veprimeve hetimore, në lidhje me ngjarjen e ndodhur paraditen e djeshme, në plazhin Jalë, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin Gj. P., 37 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi Gj. P., duke drejtuar mjetin lundrues tip gomone, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë në breg të detit duke dëmtuar shtetasit A. S., 31 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeçe, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin mjekësor”, sipas policisë.