Policia me “dorë të hekurt” për një javë aksion, 109 persona të arrestuar si edhe 338 në hetim

Me dorë të hekurt është puna e Policisë së Shtetit në një javë punë. Policia ka arrestuar 109 persona, ku janë vënë nën hetim 338 të tjerë, ndërsa nga ana tjetër janë shpallur në kërkim 41 persona. “Policia e Shtetit është e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, duke bashkëpunuar ngushtësisht me aleatin tonë kryesor, qytetarin, me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm”.

Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë, në të gjithë vendin, të angazhuara maksimalisht për goditjen e paligjshmërisë, në të gjitha format e shfaqjes së saj.

Megaoperacioni policor ndërkombëtar i koduar “SYRI”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me GdF dhe Interforcën italiane, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, rezultoi me sekuestrimin e rreth 1 ton marijuanë, 3 skafeve dhe 2 automjeteve. U vunë në pranga 5 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër.

Vendosmëri dhe përkushtim për zbatimin e masave shtesë për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për t’u ardhur në ndihmë turistëve, në rast nevoje.

Shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin, gjatë patrullimit të zonës së plazhit, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurt për pushuesit, iu kanë ardhur në ndihmë 4 pushuesve (3 prej tyre të mitur) që rrezikuan të mbyteshin në det, pasi ishin larguar me komardare rreth 1 milje larg dhe nuk po ktheheshin dot në breg.

Shërbimet e Policisë Përmet iu kanë ardhur në ndihmë dy turistëve francezë dhe një të moshuari, të cilët kishin mbetur të bllokuar në zonën e quajtur “Kanioni i Langaricës”, në Përmet, për shkak të rritjes së nivelit të ujit.

Shërbimet e DVKM Vlorë, gjatë operacioneve për kontrollin e mjeteve lundruese dhe argëtuese kanë bllokuar 8 mjete lundruese, për shkak se drejtuesit e tyre nuk respektuan zonën e përcaktuar për mjetet lundruese ose kanë patur mangësi në dokumentacion.

Gjithashtu, shërbimet e DVMK Shkodër, gjatë kontrolleve përgjatë vijës bregdetare, kanë bllokuar një mjet lundrues, drejtuesi i të cilit nuk respektoi zonën e kufizuar për lëvizjen e mjeteve lundruese, në plazhin e Velipojës.

•Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 488 shtetas, nga këta: 109 janë arrestuar, 338 janë proceduar penalisht dhe 41 janë shpallur në kërkim.

•Janë kapur në total 39 persona në kërkim, nga të cilët: 37 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.

•Janë zhvilluar 18 operacione policore të koduara: “Last game”, “Escape”, “Grab”, “Savona”, “Trade”, “Valuta”, “Bribery”, “Speed”, “Syri”, “Kanina”, “Semani”, “Lejçani”, “Horizonti”, “Intensive”, “Perimetri 188”, “Remote 2”, “Perimetri 189” dhe “Gjobardhaj”.

Shërbimet e Policisë kanë vijuar përgjatë javës, kontrollin masiv të territorit, në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

-Si rezultat i kontrolleve masive në zona të thella malore dhe të pyllëzuara, falë dhe përdorimit të 32 dronëve, 1560 punonjës policie të angazhuar kanë asgjësuar 4945 bimë kanabis, të kultivuara nga autorë ende të paidentifikuar.

-Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve janë finalizuar 3 operacione policore për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë.

-Si rezultat i operacionit policor të koduar “Horizonti”, shërbimet e Policisë Krujë kapën dhe arrestuan, në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, autorin e vrasjes së 55-vjeçarit, si dhe 2 shtetas të tjerë që e përkrahën.

-Sekuestrohen nga Policia e Korçës, në kuadër të operacionit “Remote”, 3 mina me telekomandë, vihet në pranga 1 shtetas.

-Operacioni policor i koduar “Trade”, nga Policia e Tiranës/Vihet në pranga administratori i një subjekti call center dhe procedohen penalisht 5 punonjëse, pasi mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive.

•Si rezultat i kontrolleve masive, operacioneve dhe goditjeve nga DVP-të në qarqe, janë sekuestruar rreth 1 ton marijuanë, vaj kanabisi, doza me kokainë dhe kanabis, rreth 300 fara narkotike kanabis, mijëra bimë kanabisi, shuma parash të përfituara nga veprimtaritë kriminale, 6 aparate celulare dhe 6 automjete.

•Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 10 raste dhe janë sekuestruar 6 armë zjarri, 2 armë gjahu, 3 mina me telekomandë dhe 2 thika.

•Janë goditur 9 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 51 raste të dhunës në familje.

•Janë evidentuar dhe goditur 19 raste të krimeve mjedisore dhe 7 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

•Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 37 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 28 raste.

•Janë evidentuar dhe goditur 14 raste të veprimtarisë kriminale me objekt zjarrvënien e qëllimshme dhe janë proceduar penalisht autorët e dyshuar.

Policia Rrugore/Vijon monitorimi intensiv në të gjitha akset rrugore të vendit, duke përdorur flotën e re të automjeteve të pajisura me teknologjinë bashkëkohore, makinat inteligjente, Poliscan-in, dronin “edukues”, lexuesin automatik të targave, radarët automatikë të vendosur në flotën e automjeteve të reja, kamerat dhe mjetet e tjera të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

•Gjatë kësaj jave janë pezulluar 445 leje drejtimi, nga të cilat: 350 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 61 për drejtim mjeti, nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 34 për qarkullim në sens të kundërt.

•Janë arrestuar 53 drejtues mjetesh, nga këta: 25 për drejtim mjeti, në gjendje të dehur dhe 28 për drejtim mjeti, pa leje drejtimi.

•Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 5 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 1 rast i drejtimit të automjetit, nën efektin e lëndëve narkotike.

•Janë vendosur 13.739 masa administrative, për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia Kufitare/Vijon operacioni masiv nga shërbimet e Policisë Kufitare, për bllokimin e mjeteve lundruese dhe argëtuese në të gjithë vijën bregdetare, nga Ksamili në Durrës, me qëllim verifikimin për dokumentacionin përkatës.

Gjithashtu, Policia Kufitare është angazhuar maksimalisht për krijimin e lehtësirave ligjore në hyrje, në pikat e kontrollit kufitar, për turistët, vizitorët, pushuesit dhe për të gjithë ata që vijnë në Shqipëri, për qëllime të ndryshme.

Janë ndëshkuar me masë administrative nga 50.000 deri në 200.000 lekë të rinj, 8 drejtues të mjeteve të ndryshme lundruese, për shkelje të rregullave të daljes në det ose të perimetrit të sigurisë në plazhe.

Gjatë javës janë bllokuar 27 mjete lundruese: “Jet ski”, skafe të vogla dhe gomone, disa për verifikim të dokumentacionit, ndërsa disa të tjera për arsye se drejtuesit e tyre kanë kryer manovra të rrezikshme për pushuesit, në plazhe, pranë perimetrit të sigurisë.

•Gjatë kësaj jave janë kapur 13 shtetas në kërkim, nga të cilët 12 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.

•Janë goditur 9 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe 3 raste të mitëdhënies.

•Janë proceduar penalisht 9 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, 2 për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe 4 për “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”.

•Gjithashtu, gjatë kësaj jave, nga shërbimet e Policisë Kufitare në të gjithë vendin, është ndërhyrë për të dhënë ndihmë në 8 raste, për turistët dhe vizitorët që kanë kërkuar ndihmën e Policisë, në zonat malore apo në ato bregdetare.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të intensifikuar kontrollet, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet, deri në përfundim të sezonit, rritjes së sigurisë në plazhe dhe në zonat turistike, duke ushtuar kontrolle intensive përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat e tjera turistike.

Policia e Shtetit është e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, duke bashkëpunuar ngushtësisht me aleatin tonë kryesor, qytetarin, me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

SHKARKO APP