“Rrebeshi kibernetik”/Ekspertët: Sulmet vijojnë, Shqipëria mund ta kthejë krizën në mundësi
Rënia e “shtetit digjital” korrikun e vitit që shkoi, veç brishtësisë së infrastrukturës, nxori në pah edhe papërgjegjshmërinë e atyre që punojnë për të ruajtur të dhënat. Në emisionin “31 Minuta” ekspertë të hapësirës digjitale ndërkohë paralajmërojnë se aktiviteti i hakerave iranianë mund të jetë duke vijuar, madje më me lehtësi se në fillim.
“Sulmi ka si qëllim një të vendoset një “backdoor”, një derë që ti mund të hysh më thjesht se herën e parë që ti ke hyrë. për ata që e kanë bërë një gjë të tillë e kanë akoma më të thjeshtë pasi herën e parë e kishin të vështirë për të depërtuar deri sa u gjet pika e dobët, pastaj më pas gjithçka implementohet dhe është më e thjesht për të hyrë”, tha Elvin Muçaj, inxhinier IT, Albania-Israeli Cyber World.
Në një kohë që disa pyetje ende nuk kanë marrë përgjigje, Forumi Ekonomik Global vlerëson se sulmet kibernetike janë rreziku i dytë më i madh që i kanoset vendit këtë vit. Për eksperten Esmeralda Kazia, zgjedhjet vendore dhe çendi i popullatës i parashikuar për t’u zhvilluar në vjeshtë mund të jenë dy momentet gjatë së cilave vendi mund të pësojë sulme të tjera.
“Të gjithë skenarët janë të mundshëm. Lufta kibernetike nuk ka dimension. Kështu që besoj që si institucionet shtetërore, ashtu edhe ato të varësisë, duhet të kenë një vëmendje të shtuar gjatë këtyre periudhave”, tha Esmeralda Kaziaj, pedagoge, eksperte e IT. Teksa kërkojnë angazhim të vërtetë nga institucionet, ekspertë të hapësirës digjitale tregojnë edhe formulën se si Shqipëria mund ta kthejë krizën në mundësi.