Si do të financohet fushata e PD? Kaso: Llogaria bankare është ngrirë, por e kemi zgjidhjen
14 maji po afron, por ende nuk dihet se cili nga dy grupet në PD, do të jetë me logo dhe vulë. Ivi Kaso, sekretar për Çështjet Zgjedhore dhe Ligjore në Partinë Demokratike, thotë llogaria bankare e PD është e ngrirë pasi çështja është paraqitur në gjykatën e Apelit. Sipas tij është gjetur zgjidhja dhe kandidatët do të kenë llogari të posaçme bankare, të cilat do të deklarohen edhe në KQZ, dhe do të jenë edhe subjekt i auditimit.
“Partitë që do të futen në garë do të përfitojnë një fond në bazë të ligjit, i cili derdhet në llogarinë zyrtare të Partisë Demokratike. Për momentin kjo llogari është e ngrirë, pasi bankat, për sa kohë çështja është paraqitur në gjykatën e Apelit ende nuk e kanë zhbllokuar pasi janë në pamundësi objektive për ta zhbllokuar.
Të gjithë kandidatët që do të kandidojnë në emër të PD, pavarësisht mënyrës sesi do të regjistrohemi ose se si do të paraqitemi në zgjedhje, do të çelin një llogari të posaçme për këtë qëllim, e cila do t’i bëhet me dije KQZ-së dhe do të jetë edhe subjekt i auditit lidhur me masën dhe burimin e fondeve të cilat hynë në këtë llogari dhe më pas do të përdoren në funksion të fushatës. Zgjidhja është menduar dhe ka për të qenë në analogji me procedurat që janë ndjekur më parë”, tha Kaso në ”A2cnn”.