SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, gazetarja Lala: 3 prokurorë do të jenë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve
Gazetarja Klodiana Lala jep detaje lidhur me kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku dhe mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, e cila do të zhvillohet ditën e premte.
Sipas Lalës, nëse Kuvendi vendos t’i heqë imunitetin Ballukut, vendimi për masën e sigurisë, arrest me burg apo arrest shtëpie, do t’i takojë gjykatës. Ajo bëri të ditur se mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit pritet të jetë e gjatë, pasi përbëhet nga 10 anëtarë dhe Balluku, e shoqëruar nga avokatët e saj, ka të drejtën të paraqesë mbrojtjen.
Balluku pritet të jetë e pranishme në seancë, ndërsa SPAK ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura. Qëllimi i kësaj procedure është dëgjimi i deputetes për të cilën kërkohet autorizimi i arrestimit, pasi ajo aktualisht gëzon imunitetin parlamentar. Çdo anëtar i Këshillit pritet t’i drejtojë pyetje Ballukut, çka e bën seancën të zgjasë për disa orë.
Sipas saj në mbledhje nuk do të jetë i pranishëm vetëm prokurori Dritan Prençi, i cili ndjek çështjen e Ballukut, por drejtuesi ende në detyrë i SPAK, Altin Dumani ka firmosur një vendim sipas të cilit në komision do të paraqiten të paktën tre prokurorë, për shkak të volumit të madh të dosjes dhe rëndësisë së veçantë të çështjes. Lala theksoi se deri më tani anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit nuk kanë marrë ende materialet e SPAK për dosjen e Ballukut.
KOHA JONË SONDAZH

