Vendimi i Kushtetueses, Bardhi: Rama dështoi për të mbrojtur mandatin e Xhaçkës
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e ministres Olta Xhaçka, deputeti Gazment Bardhi thotë se ky është vetëm akti i parë i një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër të pavarur e të pandikuar për t’i hequr Xhaçkës mandatin për shkelje të rëndë të Kushtetutës. ”Edi Rama dështoi për të mbrojtur mandatin e Olta Xhaçkës me një vendim antikushtetues të Kuvendit”,-shkruan Bardhi.
Reagimi i plotë
Edi Rama dështoi për të mbrojtur mandatin e Olta Xhaçkës me një vendim antikushtetues të Kuvendit. Kërkesa jonë që vendimi për vlefshmërinë e mandatit te deputeti i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese u pranua. Tani, Edi Ramës i duhet ta dorëzojë investitoren e vet strategjike me mandat deputeti para Gjykatës Kushtetuese.
Ky është vetëm akti i parë i një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër te pavarur e të pandikuar për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Kush përfiton në mënyrë antiligjore nga pasuritë publike duhet të mbajë përgjegjësi!
Trajtim i pasurisë kombëtare si plaçkë personale e Kryeministrit për ministrat dhe familjarët e tyre duhet të ndëshkohet. Ky është vendimi që presin qytetarët nga drejtësia!